Në redaksinë e emisionit “Stop” ka ardhur një ankesë për Poliklinikën e Specialiteteve nr. 3, pasi prej 6 muajsh nuk funksionon pajisja e matjes së dendësisë së kockave. Këtë e kemi provuar edhe me kamerën e fshehtë, ku punonjës të Poliklinikës e pranojnë, që pajisja nuk punon, por nuk dinë a do të rregullohet dhe kur.

Qytetarja: Si jeni? Të lutem, a është rregulluar aparati për matjen e kockave?

Punonjësja: Jo!

Qytetarja: Më fal dhe një herë, po të shqetësoj! A dihet gjë, se kur do të rregullohet?

Punonjësja: Jo, ne nuk kemi asnjë lloj informacioni.

Qytetarja: U bënë muaj prandaj…

Punonjësja: E di!

Qytetarja: Faleminderit!

Madje disa pacientë janë detyruar, që t’i drejtohen privatit, ku çmimet variojnë nga 40-77 mijë lekë të vjetra, në varësi të zonës, që ekzaminohet.

Qytetarja: Si je?

Punonjësja: Mirë! Si kalove?

Qytetarja: Erdha të pyes për matjen e kockave.

Punonjësja: Po!

Qytetarja: Bëhen këtu?

Punonjësja: Po, bëhen! Ndonjë recetë?

Qytetarja: Jo s’e kam unë, do sjell mamin, por doja të dija sa kushton?

Punonjësja: Prandaj të pyeta për recetën, sepse ajo është në varësi të matjeve. Nëqoftëse matet shtylla kurrizore dhe të dyja këmbët, kushton 40 mijë lekë të vjetra. Nëqoftëse mjeku ka vendosur gjithë trupi: shtylla kurrizore, këmbët dhe duart, bën 70 mijë lekë. Këto janë çmimet.

Qytetarja: Ok! Faleminderit shumë! Mirupafshim!

Punonjësja: Gjithë të mirat!

“Stop” takoi dhe drejtoreshën e Poliklinikës Lidra Zikaj, e cila thotë, se është në dijeni të problemit dhe që në maj i ka bërë shkresë Ministrisë së linjës, por ende nuk është rregulluar. Ajo premton, që në fillim të Nëntorit pajisja të rregullohet.

Gazetarja: Tek emisioni “Stop” ka ardhur ankesë nga disa pacientë të cilët vuajnë me kockat. Kanë 6 muaj që nuk e marrin këtë shërbim për matjen e kockave dhe na kanë thënë që vijmë e paraqitemi tek Qendra Shëndetësore dhe nuk na thuhet asnjë gjë.

Lidra Zikaj, drejtoresha e Poliklinikës: Më datë 17 Maj, kemi referuar pranë njësisë vendore që kemi, ose operatorët shëndetësorë i cili nuk punon, ka pësuar një defekt.

Gazetarja: Po e quajmë zyrtarisht nga Maji dhe deri tani në Tetor, pse nuk është rregulluar?

Lidra Zikaj, drejtoresha e Poliklinikës: Jemi akoma duke u marrë me procedurat për të pasur mundësi që ta rregullojmë.

Gazetarja: Kush e ka për kompetencë që ta rregullojë?

Lidra Zikaj, drejtoresha e Poliklinikës: Normalisht ajo do të rregullohet shumë shpejt.

Gazetarja: Kur?

Lidra Zikaj, drejtoresha e Poliklinikës: Brenda këtij muaji pritet që të rregullohet dhe shpresoj që të jeni po ju që të shikoni pacientët që do të jenë duke i bërë. Pacientët të cilët nuk e kanë marrë si shërbim, të gjithë ata që e kanë të nevojshme…

Gazetarja: Shkojnë tek privati që është përbri, 77 mijë lekë. Të lutem!

Lidra Zikaj, drejtoresha e Poliklinikës: Nuk kanë pse të shkojnë tek privati. Nëse shkojnë tek privati bëjnë abuzim.

Gazetarja: Të ta tregoj doktoresha…

Lidra Zikaj, drejtoresha e Poliklinikës: Të gjithë ata që kanë dhënë emrin, tek blloku u madh që mund të shikoni dhe datën kur kanë nisur…

Gazetarja: Gjysma e tyre i janë drejtuar privatit.

Lidra Zikaj, drejtoresha e Poliklinikës: Dhe unë të gjithëve nga mëngjesi deri në darkë iu them “ju lutem mos e bëni tek privati”, sepse do e bëni tek ne. Në datën 1 Nëntor do të vish.

Gazetarja: Do të vij përsëri!/tvklan.al