Lajme Arkiva – Tv Klan 2000

Edi Rama është në avantazh kundrejt rivalit të tij Besnik Mustafaji në garën për kryetar Bashkie të Tiranës. Ky rezultat është botuar në shtypin e sotëm sipas një sondazhi të Institutit të Studimit të Opinionit Publik. Sipas sondazhit, Rama ka 35.6%të votave kundrejt Mustafajit me 27.2%. Ndërsa në garën partiake Partia Demokratike qëndron shumë më lartë në rezultat se PS me 5% avantazh. Por Edi Rama pretendon se stafi i tij elektoral ka bërë të tjera sondazhe, të cilat janë edhe më të sakta.

Edi Rama:- “Pavarësisht se unë nuk e njoh institutin që e ka bërë këtë sondazh dhe nuk e paragjykoj, por duke u bazuar në sondazhet që stafi im elektoral realizon prej dy muajsh, sondazhi i paraqitur sot besoj se ka dy pasaktësi të mëdha. E para lidhur me rezultatin e PS në raport me PD dhe e dyta lidhur me rezultatet e partive te vogla, të cilat më duken shumë të ekzagjeruar. Gjithsesi rezultatin real ne do ta dimë në 2 Tetor. Kam përshtypjen se kjo garë elektorale është një garë nga e cila do të ketë një rezultat më të thellë se sa ai që tregon sondazhi i sotëm në raport me kandidatët dhe krejt të ndryshëm në raport me partitë e mëdha”.

Gazetarja:- Ndërkohë rivali juaj për kryetar bashkie Mustafaji, iu ka akuzuar se ju keni manipuluar diçka në lidhje me këto sondazhe të bëra nga ky institut.

Edi Rama:- “Unë nuk e di se ku bazohet zotëria në fjalë, kur thotë këtë, por mesa duket edhe ai nuk shkëputet dot nga psikoza e përgjithshme e komplotit dhe e manipulimit ku jeton PD, e cila është e vetmja parti në kohën e pluralizmit shqiptar, që ka dhënë prova të aftësisë për të manipuluar dhe për të spekuluar në kurriz të zgjedhësve dhe të qytetarëve”./tvklan.al