Partia Demokratike shpallet fituese edhe në Fier. Ky ka qenë rezultati për muajin maj, pas sondazhit të kryer në qarkun e Fierit nga qendra për studime humanistike “Gani Bobi”. Si e kanë vlerësuar të anketuarit e qarkut Fier votën e tyre ditën e zgjedhjeve? Sondazhi i publikuar në Televizionin Klan tregon me përqindje se 37.2% e të anketuarve kanë votuar PD, 36.6% PS dhe 4.7% kanë votuar për LSI-në.

Edhe në këtë sondazh të përmuajshëm, PD kryeson me një diferencë prej 1.4%. krahasuar me muajin prill diferenca mes këtyre dy forcave është rritur në favor të PD-së. Përpos kësaj në këtë sondazh vihet re një rënie e mbështetësve të PS si dhe forcës së 3 LSI-së krahasuar me 1 muaj më parë.

Në gjuhën e krahasimit është folur dhe në studio me Sonila Meçon. Analistët Mentor Nazarko dhe Artan Hoxha, i kanë krahasuar këto anketime me zgjedhjet e vitit 2005.

Artan Hoxha: “Paska rrjedhur goxha ujë nga 2005-sa, edhe do të thotë që qarku i Fierit nuk është më ai qark i 2005-ës e më parë, ku pretendohej se ishte një bastion i një fitoreje ekstra maxhoritare të së majtës. Por mesa duket ka një evolim të elektoratit në këtë qark në hapin kohorë të 4 viteve dhe gara në qarkun e Fierit duket se është shumë kompetitive”.

Gani Bobi: “Kjo është diçka që e kemi gjet neve me sondat dmth përmes anketave, një diskonim që pak ka ndryshu edhe pse këtu shihet qartë se ende nëse do të ishte e majta e bashkuar do ta arrinte lehtë 52 ose 53%”.

Një tjetër rezultat i këtij anketimi është edhe shpërndarja e votës së deklaruar.

Sonila Meço: “Për PD janë shprehur 44%, për PS 43.2%, për LSI 5.7%, G-99 2.9%, PDI 1.1%, dhe të tjera të gjitha së bashku 2.4% duke mos patur përqindje domethënëse”.

Artan Hoxha: “Po t’i marrësh të gjithë partitë e majta së bashku janë në avantazh po kundrejt të gjithë partive të djathta. Po kur vimë tek vota e deklaruar pasi eliminohen të gjithë partitë e tjera të cilat kanë përqindje të pa përfillshme, mos të harrojmë që kemi. le që kodi elektoral vendos edhe pragje për koalicione dhe për parit në nivel që janë”.

Gani Bobi, ka vendos të pyes të anketuarit në qarkun Fier sesa ata vlerësojnë punën e bërë në këto 4 vite nga Kryeministri Berisha.

Sonila Meço: “7.7% e të pyeturve të PD-së, e cilësojnë të pa suksesshme punën e kryeministrit dhe 69.8% e të pyeturve të PS, e cilësojnë të tillë. Ashtu, ashtu e vlerësojnë 15.3% e të pyeturve të PD-së, 23.9 e të pyeturve të cilët votojnë për PS. I suksesshëm mendojnë 76.4% e të pyeturve të PD-së dhe 4.7% e të pyeturve të PS-së. Ndërsa pa përgjigje janë 0.8% që i takojnë PD dhe 3.4% të PS-së”.

Mentor Nazarko: “Do prisja që përqindja e atyre që do ta shpallnin si të suksesshëm kryeministrin nga ana e PD-së të ishte më e lartë”.

Artan Hoxha: “Ky vlerësim për kryeministrin të përcaktojë edhe një ndarje të qartë të votës politike në qarkun e Fierit”.

Në këtë pyetësorë nuk janë lënë pas as aspektet e jetës publike dhe ekonomike. 51.3% janë përgjigjur se gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur në qarkun e Fierit, ndërsa 24.9% janë përgjigjur negativisht. 49% e të anketuarve janë përgjigjur se nuk duan të largohen nga Shqipëria, ndërsa 37.7% janë shprehur se do të largoheshin nëse do t’ju jepej mundësia.

Të enjten e ardhshme, Gani Bobi, do të publikojë një tjetër sondazh i zhvilluar në qarkun më të madh, atë të Tiranës duke ofruar kështu orientimin e publikut shqiptarë, ndërkohë që i afrohemi zonës së nxehtë kur do të mbahen zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Se sa ka ndikuar fushata e deri tanishme e partive në garë, kjo mbetet të shihet në sondazhin e ardhshëm. Me një eksperiencë të jashtëzakonshme dhe i kontraktuar nga kompania amerikane “Pen Shond Berland” Gani Bobi ka publikuar eksipolle të cilët kanë qenë shumë pranë shifrave zyrtare dhe thuajse identike./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani