Në stadiumin ‘Olimpico’ të Romës do të luhet mbrëmjen e sotme për trofeun e kupës së Italisë. Juventus përballë Napolit për këtë trofe. Bardhezinjtë e kanë fituar 13 herë më parë ndërsa Napoli 5 herë. Ka rëndësi prestigji për bardhezinjtë ndërsa për Napolin do të ishte një lloj justifikimi i sezonit pasi janë jashtë luftës për titull dhe rrezikojnë zonën europiane.
Ndryshe nga finalet e tjera, kjo e mbrëmjes së sotme nuk do të ketë shtesa në rast barazimi, direkt te penalltitë dhe dy ekipet nuk do donin që të vendosej nga pika e bardhë.
Shumë sfida brenda një ndeshjeje. Trajneri i Juventusit, Maurizio Sarri, do të jetë kundër ish-skuadrës që e ngriti në nivele konkurruese për titull. Presidenti i klubit napolitan, Aurelio De Laurentis, i kujtoi Sarrit se divorci i bujshëm me të, është ende një plagë e hapur. Edhe tifozët e kaltër nuk ia falin Sarrit largimin e tillë.
Për Cristiano Ronaldo ky do të ishte trofeu i tretë në Itali pas kampionatit dhe superkupës së sezonit të shkuar. Do të luhet nën vëmendjen e të gjithëve, por fatkeqësisht pa tifozë në shkallët e stadiumit.
Do të ndryshojë edhe ceremonia e dhënies së kupës. Praktikisht do të jetë me vetëshërbim për trofeun dhe medaljet e futbollistëve për shkak të masave të sigurisë shëndetësore. Futbollistët do të mund të mblidhen vetëm në momentin kur kapiteni të ngrejë trofeun.
Kjo ndeshje do të transmetohet live në thuajse 200 vende të botës.
Tv Klan