Emisioni Stop në Tv Klan denoncoi rastin e qytetarit Julian Shehu në Lushnje, të cilit i kishin vjedhur 2 banesa dhe njërin nga hajdutët e kishte kapur në flagrancë dhe ja dorëzoi policisë, por Komisariati i Lushnjes e liroi 1 orë më vonë.

Për këtë absurditet, qytetari Julian Shehu, përmes kamerës së fshehtë, interesohet tek oficeri i policisë gjyqësore, ku i thonë se nuk u kap në flagrancë duke vjedhur e për këtë arsye nuk e mbanin dot të arrestuar?!

Qytetari: E kapëm vetë, e dorëzuam vetë or ti, burrë…

OPGJ Elton Buzi: S’e kape duke vjedhur, o vëlla!

Qytetari: Ishte brenda shtëpisë, dritaret e thyera.

OPGJ Elton Buzi: Tani dëgjo ça po them unë tani, jo se ne nuk duam ta fusim në burg! Ato janë plehra dhe ato meritojnë të jenë brenda në burg! Dosja është edhe në Prokurori. Materialet po bëhen, hetimet, gjërat, por me aq prova sa kishte atë natë, se ti nuk e kape duke vjedhur. Ti e kape duke pirë mall atje.

Qytetari: Ishte brenda pra, ishte brenda. Ai ia tha dhe vetë fjalët, ia tha dhe Bajramit, ia tha dhe Benit. Ia tha, që isha me filanin dhe filanin.

OPGJ Elton Buzi: Aq prova kishte atë natë. Po ta kishe kapur te banesa e vjedhur, po.

Qytetari: Po pra, ishte brenda territorit, se shtëpia ime është edhe ajo, se të treja shtëpitë e mia janë.

OPGJ Elton Buzi: Ore, jam shumë dakord ore, por ti nuk i kape të dy ato.

Qytetari: Jo! Ai e tregoi tjetrin, por kapa njërin.

OPGJ Elton Buzi: Po ktu nuk tregonte ai.

Gazetarja e Stop interesohet tek specialisti i zonës, i cili thotë se materialet për ngjarjen i kanë shkuar Prokurorisë.

Specialisti i zonës Besnik Kadiu: Janë bërë veprimet hetimore dhe janë në Prokurori. Kaq! Nuk jam unë ai, që vendos, vendos Prokurori.

Të njëjtën përgjigje jep edhe shefi i komisariatit, i cili telefonoi gazetaren pasi mësoi se ishin interesuar për rastin dhe thotë se përgjigje sqaruese jep zëdhënësja e Policisë së Qarkut Fier dhe jo ai.

Shefi Edmond Pjetri: Sapo mora dijeni, që ju jeni interesuar tek “Zyra e Pritjes së Qytetarëve”, dhe mua më duhet t’ju them, që nuk jam i autorizuar, për t’ju dhënë unë shpjegime në lidhje me rastin e ngjarjes në fjalë, por është zëdhënësja e drejtorisë vendore të Policisë Fier. Ju lutem, çdo lloj veprimi në lidhje me ngjarjen është bërë, është dokumentuar dhe i është dërguar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor.

Gazetarja e Stop komunikon me zëdhënësen e Policisë së Fierit, e cila pasi grumbulloi informacionin për rastin e Policisë së Lushnjes, shpjegoi se hajduti i parë, i lënë në gjendje të lirë, trajtohet si përdorues droge pasi iu gjet lëndë narkotike dhe jo si hajdut, ndërsa i dyti është në kërkim për vjedhje. Edhe pse qytetari e kapi vetë dhe ia dorëzoi policisë hajdutin e banesave të tij, kjo e fundit e pa të arsyeshme ta linte të lirë.

/tvklan.al