Emisioni investigativ “STOP”, në Televizionin Klan është ndaluar mbrëmjen e sotme në qytetin e Elbasanit dhe pikërisht tek ndërmarrja e Trajtimit të Studentëve, ose quajtur ndryshe në konviktet e këtij qyteti.
Kjo godinë është pronë e Ministrisë së Ekonomisë, ndërsa punonjësit pagat i marrin nga Ministria e Arsimit. Ndërkohë, kjo ndërmarrje funksionon me vetëfinancim, ku të ardhurat që mblidhen shërbejnë për mirëmbajtjen e tri godinave.
Një nga kujdestaret e këtij konvikti, Nexhmije Kacollja, ka denoncuar në “STOP”, se drejtoresha i mban një pjesë nga paga mujore. Ajo thotë se i janë ndaluar për dhjetë muaj nga 110 mijë lekë të reja.
Edhe pasi u ankua, ndalesa vazhdoi, por tashmë me 4 mijë lekë të reja.
“Unë kam shtatë vjet që punoj në këtë ndërmarrje të Trajtimit të Studentit në Elbasan. Më është hequr padrejtësisht paga në vitin 2014 – 2015 për dhjetë muaj nga 110 mijë lekë muaji. Vajta e kërkova, nuk lashë dyer pa trokitur. Mua dhe kujdestares tjetër Raimonda Koçani. Asaj ia vënë rrogën me vendim të kryetarit të bordit të ndërmarrjes, sepse ajo nuk i firmoste në një tender që kishte për naftën dhe i bëri presion”.
Kush ta ndaloi rrogën ty?
“Rroga mu ndalua… vajta për të marrë rrogën në bankomat, shoh 110 mijë lekë mangët. Shkoi edhe i them pse…rroga është hequr se i është hequr të gjithë punonjësve”.
Kush të tha kështu?
“Më tha drejtoresha”.
Kush është drejtoresha?
“Drejtoreshë është Jolanda Doçi. Me mua ka një komunikim jashtëzakonisht të keq, jo vetëm me mua, por ajo ashtu sillet me të gjithë”.
Sa vite ka kjo drejtoreshë këtu?
“Që në 2013. Deri lart kam kërkuar, ajo u shqetësua shumë dhe erdhi në zyrë e më kërkoi falje. Dhe më pas më tha çdo gjë ne tani do ta mbyllim këtu dhe do t’ia fillojmë nga e para. Tani, shkoj edhe marr rrogën e muajit gusht dhe shikoj 40 mijë lekë të vjetra mangët. Në moment marr në telefon shefin e burimeve njerëzore dhe i them: “pse marr mangët 40 mijë lekë të vjetra?” Nuk di gjë Nexhi, më tha”.
Më pas Nexhmija shkoi për të takuar vetë drejtoreshë e këtij institucioni në Elbasan, ku komunikimi ndërmjet njëra – tjetrës ka degjeneruar në dhunë verbale dhe fizike.
Kujdestarja –
Drejtoreshë mbaruat?
Drejtoresha –
Jo nuk mbarova.
Kujdestarja –
Mund të flasim pak?
Drejtoresha –
Urdhëro!
Kujdestarja –
Unë vajta për të marrë rrogën dhe marr 40 mijë lekë mangët, nuk e di pse?
Drejtoresha –
Po, janë unifikuar pagat e kujdestarëve.
Kujdestarja –
Vetëm mua?
Drejtoresha –
Jo janë ulur shumë paga.
Kujdestarja –
Po për çfarë arsye?
Drejtoresha –
Sepse e para nuk ke studentë dhe e dyta për godinën dy, ti e sheh që pot ë mbajmë si për hatër. Të gjithë kujdestarët kanë të njejtën pagë.
Kujdestarja –
Vetëm mua?
Drejtoresha –
Moj zonjë, janë bërë tre kujdestaret me të njejtën pagë.
Kujdestarja –
Ok, të shoh borderonë…
Drejtoresha –
Borderonë do shohësh ti?
Kujdestarja –
Po.
Drejtoresha –
Ik mi ku të duash shif tani, na lër rehat!
Kujdestarja –
Po pse? Drejtoreshë të lutem, se një herë më hoqe 1 milion e 100 mijë lekë…
Drejtoresha –
Kush t’i hoqi?
Kujdestarja –
Ti mi hoqe mua. Më hoqe 1 milion e 100 mijë lekë.
Drejtoresha –
Ik mi na lër rehat, ik mi se po rri në punë kot.
Kujdestarja –
Drejtoreshë të lutem, më jep rrogën se më takon.
Drejtoresha –
A ka mundësi se jam duke folur në telefon, vazhdo tani!
Kujdestarja –
Pse nuk më kthen përgjigje?
Drejtoresha –
Çfarë përgjigje do ti moj, se s’ke studenta dhe po rri në punë kot…
Kujdestarja –
Moj po të lutem, më ke marrë 1 milion e 140 mijë lekë…
Drejtoresha –
Shko interesohu ku të duash!
Kujdestarja –
Moj zonjë, më ke heq rrogën padrejtësisht.
Drejtoresha –
Moj ti shko, se nuk ta kam heq vetëm ty, se janë të gjithë pa rrogë, ik tani na lër rehat!
Kujdestarja –
Më trego borderotë! Hajde të shkojmë të dyja tek financa dhe të shohim borderotë, të lutem!
Drejtoresha –
Pse kush je ti? Ik moj shko moj fol me shefin! Moj ti shoqe është ulur paga e të gjithëve…
Kujdestarja –
Më hoqe 1 milion e 100 mijë lekë…
Drejtoresha –
Kush ta hoqi moj, kush ta hoqi?
Kujdestarja –
Ti ma hoqe drejtoreshë.
Drejtoresha –
Po ik moj ti tani! Këtu po ngelin të gjithë pa punë, po ik moj…
Kujdestarja –
Mos më merr mua celularin, se celulari është i shtëpisë time. S’ke punë ti me celularin e shtëpisë time!
Drejtoresha –
Është marrë një vendim nga bordi. Ne jemi drejt falimentimit.
Kujdestarja –
Po!
Drejtoresha –
Po rrijmë si po rrimë, dy muaj, tre muaj derisa ta shtyjmë. Tani, bordi ka marrë një vendim: pagat e kujdestarëve unifikohen të treja dhe bëhen me të njejtën pagë. Të tre kujdestaret kanë të njejtën pagë. Është ulur paga e atij të burimeve njerëzore, është ulur paga e Marios, që është sekretari. Shiko borderotë lart. Në qoftë se të gënjej, hajde më pështyj në fytyrë!
Kujdestarja –
Paga jote është ulur?
Drejtoresha –
Paga ime nuk ndryshohet se është me vendim të ministrit.
Kujdestarja –
Drejtoreshë, herës tjetër që më hoqe rrogën, që vajta atje, ku e di ti shumë mirë, më thanë: Në qoftë se ndërmarrja është drejt falimentimit, paga do fillojë nga drejtuesit deri poshtë. Po se e vure shoqen tënde ti aty në konvikt, kur nuk ka studentë?
Drejtoresha –
Duhen tre kujdestare.
Kujdestarja –
Jo, jo po ti the që s’ka studentë, ka 20 veta. Pse duhet të hyjë?
Drejtoresha –
Moj ti zemra ime…
Kujdestarja –
Pse e vure ti atë? Pse është shoqja jote?
Drejtoresha –
Moj ti e kupton që po flet kot?
Kujdestarja –
Më ke torturuar tre vjet.
Më pas gazetarja e “STOP” ka shkuar për të takuar vetë drejtoreshën e këtij institucioni, Jolanda Doçin, për t’i marrë një intervistë në lidhje me ecurinë e këtij konvikti, sakaq edhe me procedurën e pagave që u lëshohen punonjësve.
Viti i ri shkollor ka filluar, sa studentë janë regjistruar këtë vit?
Ne kemi diku tek 500 studentë të strehuar pranë hotelerive tona, praktikisht në hotelerinë numër 1, 2 dhe 3.
Ka patur rënie të numrit të studentëve apo ngritje?
Vitet e fundit ka një rënie të theksuar.
Po kushtet si janë?
Atëherë kushtet… ka edhe më keq, por për pagesën që studentët tanë paguajnë është një jetesë me kushte normale.
Kur është rikonstruktuar konvikti për herë të fundit?
Është rikonstruktuar në vitin 1998, menjëherë pas djegieve të rrëmujës së vitit 1997. Gjithsesi gjatë viteve, në momentin që largohen studentët gjatë periudhës së verës, ne bëjmë riparimin e godinave me lyerje, dizefektim, larjen e bazës materiale etj etj.
E bëni ju vetë?
Po! Me fondet tona.
Jeni të vetëfinancuar?
Me vetëfinacim.
Po pse nuk financoheni nga Ministria e Arsimit ose Ekonomisë?
Ne e kemi pronar Ministrinë e Ekonomisë, por ne jemi me vetëfinacim.
Prej sa kohësh?
Është histori prej vitesh.
Po personeli, sa keni?
“
Aktualisht, jemi 40 punonjës.”
Sa kujdestarë ka i gjithë konvikti?
“Ka tre kujdestare”
.
Me rrogat si janë? Paguhen nga ju?
“Subvencioni për fondin e pagave ne na vjen i miratuar nga Ministria e Arsimit.”
Po punonjësit nga kush paguhen, nga ju apo?
“Jo, nga Ministria e Arsimit, subvencionin e kemi pastaj veç. Ndërsa si pronar kemi Ministrinë e Ekonomisë.”
Por pse Nexhmija e merr rrogën të përgjysmuar, kur vjen borderoja nga Ministria… Ky është një rast që nuk do të mbetet me kaq, investigimet e “STOP” do të vazhdojnë./tvklan.al