Parlamenti: Akti i ditës me çanta eurosh dhe thënia e ditës e Ramës.
Para nisjes së seancës së sotme parlamentare, deputeti demokrat Ervin Salianji, hyri në oborrin e kuvendit me një toyota yaris, nga ku nxorri në mënyrë simbolike dy canta të dizenjuara me euro, prerje 5-tëshe.Ndërsa thënia e ditës i takoi kryeministrit Rama, i cili duke cituar njërin prej baballarëve të Europës, Konrad Adenhauer, tha në foltoren e Kuvendit: O Zot, kur kufizove inteligjencën njerëzore, pse nuk kufizove dhe budallallëkun njerëzor”?!
Bërxulli 27 vjat pa ujë, depozita, peng i konfliktit të pronës me ushtrinë.
Bërxulli dhe Kodër-Bërxulli janë vetëm 9 km nga Tirana dhe vuajnë prej plot 27 vjetësh mungesën e ujit të pijshëm.Më në fund bashkia e Vorës, në prill të këtij viti, nisi ndërtimin e sistemit të ujit të pijshëm , që do të mbulojë nevojat e 200 familjeve.Kur projekti ishte në udhë e sipër, ushtria ngriti pretendimin, se depozita po bëhet në pronën e ushtrisë, ndërsa qytetari Bujar Shehu, tregon, se është ai i zoti i tokës dhe ia ka falur bashkisë së Vorës për nevojat e komunitetit.
Asnjë masë për Zhanina Dapin, Veliaj luan bllofin: Do informohem!
Një ditë më parë emisioni “Stop” transmetoi rastin e abuzimit të drejtoreshës së Ndërmarrjes së Trajtimit të Studentëve numër 2, Zhanina Dapi. Pa asnjë argument ligjor, drejtoresha Dapi hoqi nga puna specialisten e auditit, Elisabeta Gjoka.
Ditën e sotme emisioni “Stop” iu drejtua Bashkisë së Tiranës për të marrë një reagim për arbitraritetin e drejtoreshës Zhanina Dapi. Megjithëse vuri në dijeni stafin e kryebashkiakut për këtë rast, gazetarja nuk mori asnjë përgjigje.
Por rastësisht u ndesh me vetë kryetarin e Bashkisë Tiranë, i cili kërkoi kohë për ta verifikuar rastin dhe u shpreh se nëse rezulton fajtore, atëherë do të mbajë përgjegjësi.
Erion Veliaj – Më sill një kërkesë që ta zbuloj! Si ta di unë çka bërë një staf, me 6 mijë veta staf? Dhe po të them…
Gazetarja – Kam njoftuar Renato Kalemin, këshilltarin tuaj… Kam njoftuar Denis Dedejn, zyra e shtypit…Kam njoftuar gjithë Bashkinë e Tiranës…
Erion Veliaj – Po të rri me respekt sepse shumica nuk rri. Unë po të rri me respekt!
Gazetarja – Të lutem, nuk më ktheve një përgjigje!
Erion Veliaj – Edhe një herë, sapo të informohem….
Gazetarja – Një drejtoreshë (Zhanina Dapi), e cila është në varësi të Bashkisë së Tiranës (Ndërmarrja e Trajtimit të Studentëve Nr 2)…
Erion Veliaj – Po nuk e di këtë!
Gazetarja – A mund të “ngujojë” në pushimin e drekës…
Erion Veliaj – Po, nuk e di këtë… po nuk e di këtë…
Gazetarja – Punonjësit e saj….
Erion Veliaj – Unë do ta zbuloj…
Gazetarja – 12 deri në 12 e gjysëm?
Erion Veliaj – Unë do ta zbuloj…, unë do ta zbuloj dhe do të marrim përgjigje.
Gazetarja – Po!
Erion Veliaj – Po në këtë moment, më kap tek shkallët dhe më thua 1 nga 6 mijë punonjësit e bashkisë ka bërë këtë… më lër ta verifikoj dhe do të them! Nëse dikush ka bërë faj, do mbajë përgjegjësi!
Por 10 ditë më parë, kryebashkiaku Veliaj premtoi para kameras së emisionit “Stop” se do të kthente përgjigje për një tjetër rast abuzimi, që varet nga Bashkia e Tiranës. Shkresa zyrtare e emisionit “Stop” për kioskat qëndron prej 2 muajsh në Bashkinë e Tiranës, pa marrë asnjë përgjigje.