Incidenti me qytetaren në Shkodër dhe turizmi ynë i ndotur!
Në nisje të emisionit shfaqet një letër e Enver Hoxhës drejtuar kryetarit të partisë komuniste të Brazilit në vitin 1970, me rastin e fitores së kampionatit botëror të futbollit nga Brazili.Më pas një incident me një qytetare në Shkodër, ku ndodhej kryeministri shqiptar dhe ai malazez, për një mbledhje të përbashkët mes dy qeverive. Deti në Shëngjin shfaqet i ndotur e po kështu bregdeti në Darzezë është i mbushur me shishe plastike, megjithë propagandën për pastrimin e bregdetit.
Elbasan, skandali i drejtësisë, që mbyll sytë para provave me zë e figurë.
Në muajin nëntor “Stop” transmetoi rastin e mësueses së shkollës 9 vjeçare “Ptoleme Xhuvani” në Elbasan, Lindita Sejdini, e cila u ndëshkua nga drejtoresha Ilda Nako. Sejdini kishte marrë raport në QSUT, por drejtoresha nuk ia kishte njohur atë.
Si të mos mjaftonte kjo, drejtoresha Nako kishte ngritur një komision disiplinor, për të ndëshkuar arsimtaren, por kishte falsifikuar firmat e anëtarëve të komisionit.
Pasi u vërtetua me zë dhe me figurë në emisionin “Stop”, ku raporti ishte i saktë dhe rezultoi që drejtoresha zonja Nako gënjente, pasi u vërtetua institucionalisht edhe nga QSUT-ja që ky raport ishte i rregullt, atëherë mësuesja Sejdini bëri kallzim për bëmat e drejtoreshës, por prokurori Petref Asllani vendosi mosfillimin e procedimit penal për kallëzim të rremë për Ilda Nakon.
Po kështu kryetari i gjykatës Elbasan Sulejman Kurti, ka vendosur njëlloj si prokurori Asllani duke mbyllur sytë para provave që flasin vetë.
Lindita Sejdini: Kallëzimin ndaj drejtoreshës së shkollës për falsifikimin e raportit e bëra rreth muajit Prill. Me short i ra prokurorit Petref Asllani, i cili sipas gjykimit të tij, për mungesë provash e mbylli çështjen, megjithëse unë pretendoja që kishte filmime dhe materiale të mjaftueshme, të cilët vërtetonin që falsifikimi nuk ishte nga ana ime po nga ana e drejtoreshës.
Pas gjithë kësaj etape, zoti Prokuror e mbylli çështjen duke vendosur të mosfillimin e procedimit penal. Pretendimi i zotit prokuror ishte se ky kallëzim mund të bëhet nga çdo qytetar dhe nuk sillte asnjë provë dhe asnjë implikim për një vepër penale.
Nga ana tjetër, neni 305/b i Kodit Penal thotë se në qoftë se një nga qytetarët e vendit kryen një falsifikim atëherë ata mbajnë përgjegjësi penale, ku kjo vepër dënohet deri me 6 muaj burg.
Por çuditërisht për këtë prokuror dhe më pas për gjykatën nuk përbën një shkelje edhe një kallëzim të rremë që ka kryer Ilda Nako.
Zhanina Dapi, thellohet skandali i drejtoreshës, që të hedh në rrugë.
Pak ditë më parë “Stop” transmetoi rastin e abuzimit të drejtoreshës së Ndërmarrjes së Trajtimit të Studentëve numër 2, Zhanina Dapi.
Zonja Dapi, pa asnjë argument ligjor, hoqi nga puna specialisten e auditit, Elisabeta Gjoka. Por duket se Gjoka nuk është e vetmja e hedhur në rrugë pa motivacion. Edhe 4 punonjës të tjerë denoncojnë në “Stop” arbitraritetin e drejtoreshës.
Aranit Hasanbelliu, ish-kryetar i degës së hotelerisë, Marjeta Neziri, ish-punonjëse e terreneve sportive, Ervis Qose, ish-përgjegjës Sektori i Gjelbërimit dhe Vera Ismaili, ish-punonjëse e lavanterisë thonë se janë hequr nga puna pa motivacion, edhe pse i plotësojnë të gjitha kriteret ligjore.
Janë katër ish-punonjës pas denoncueses së parë që kanë ikur nga puna, me motivacione më absurde.
Arbirtrariteti i drejtueses së Ndërmarrjes së Trajtimit të Studentëve numër 2, Zhanina Dapi nuk përfundon me kaq, përsa u përket shkarkimeve pa motivacion, sepse specialistja e auditit Elisabeta Gjoka nuk ishte e vetmja.
Aranit Hasanbelliu: Me datën 13 Shkurt 2018 kam kryer detyrën si kryetar i degës së hotelerisë pranë kësaj ndërmarrjeje që prej 7 vitesh. Është fyese dhe diskriminuese. Në vendim thuhet: Nuk plotëson arsimin përkatës. Se di për çfarë arsimi e ka fjalën zonja. Disponoj jo një, por dy diploma të nivelit bachellor. Pozicioni i punës për këtë detyrë shprehet qartazi, arsim i lartë, pra brenda kodit ligjor.
Jo vetëm kaq, por thuhet vlerësim i dobët i dy viteve të fundit. Vlerësimin e 2016-s e kam këtu, nga 100 pikë të mundshme kam marrë 90 pikë. Vlerësimi i punës 2017 është një fletë bosh, e pafirmosur dhe titullarja ime e parë nuk ka kryer detyrën që të ma verë në dispozicion vlerësimin e punës. Përveç se nuk ka zbatuar kriteret sipas Kodit të Punës, ka kaluar edhe kompetencat, pasi emërimi dhe shkarkimi është në kompetencën e këshillit mbikqyrës.
Marjeta Neziri: Quhem Marjeta Neziri, ish-punonjëse e terreneve sportive. Kam një vit e gjysmë që kam punuar në atë ndërmarrje. Pas një kontrate 3-mujore, unë rinovoj kontratën e dytë pa afat. Para 3 muajsh më erdhi letra për supremimin e vendit të punës dhe në datë 6 Qershor shkëputen marrëdhëniet e punës. Sot vendi i punës është, nuk është suprimuar dhe punon tjetër kush, miku i Zhanina Dapit.
Ervis Qose: Quhem Ervis Qose, me detyrën përgjegjës sektori gjelbërimi, me datën 13 Prill unë jam pushuar nga puna me motivacion “suprimim i vendit të punës”. Diploma që unë zotëroj për inxhinieri agronomi është adapt për këtë vend pune, të cilën unë e kam kryer për 5 vjet.
Unë nuk e kuptoj se çfarë kushtesh nuk plotësoj duke qenë se në këto 5 vite nuk kam marrë asnjë vërejtje, asnjë paralajmërim. Drejtoresha ka një sjellje arrogante me punonjësit, për çdo hall apo problem tonin, qoftë familjar, qoftë personal, nuk denjon as t’i takojë ata.
Vera Ismaili: Quhem Vera Ismaili, punonjëse lavanterie për 5 vjet e 7 muaj. Në datën 10 Prill më ka ardhur vendimi i pushimit nga puna. Motivacioni ishte “suprimim i vendit të punës”, kur aty ekziston vendi i punës, nuk është mbyllur.
Qytetarët të cilët tashmë janë të papunë i bëjnë thirrje kryetarit të Bashkisë, Erjon Veliaj, që ta zgjidhë këtë problem.
“Jemi katër familjarë me katër familje nga pas, të cilëve iu janë ndërprerë të ardhurat, për pasojë jemi në vështirësi. Janë edhe 40 familje të tjera që rrezikohen, pasi pushimet nga puna vijojnë nga papërgjegjshmëria e zonjës Zhanina Dapi. Stop kësaj drejtoreshe të papërgjegjshme”.