Në kërkim të Hasan Prishtinës në Tiranën kaotike.
Monumenti i Hasan Prishtinës është mbuluar nga pemët e bimësia në sheshin Skënderbej, i kthyer në zonë për këmbësorë.Renaldo ka realizuar intervista me humor me qytetarë në kërkim të këtij monumenti.Së fundi në Tiranë janë shtuar korsitë e bicikletave. Por kjo nismë e bashkisë ka shtuar kaosin në qarkullim, për shkak të ngushtimit të rrugëve.Gazetarja e Stop ka bërë një vëzhgim në disa nga rrugët e kryeqytetit dhe sjell problematikën e krijuar.
Katastrofa e Albpetrol me ndotjen, nuk shpronëson tokën e bukës.
Vezir Nure tregoi se kompania Albpetrol i ka ndotur tokën bujqësore me shpërthimet e naftës, por nuk e shpronëson.
“Problemi im është se në mes të tokës sonë, që kemi marrë me ligjin 7501, kalon tubacioni kryesor i naftës, i cili është montuar që në kohën e Enverit. Deri më sot nuk është ndërruar, kanë riparuar vetëm rreth 150 metra. Është i cilësisë së dobët sepse sa ikën saldatorët, u ndez pompa, ky përsëri u hap. Vetëm në pjesën time janë 36 hapje. Këtu nuk bëhet fjalë të vish fare, sepse je i rrezikuar nga ora në orë për të zënë gazin”, u shpreh denoncuesi.
Ai ka 2 dylym e 750 metra tokë, të cilën e ka mbjellë me produkte të ndryshme që në vitin 1994, por nuk mund ta përdorë dot të gjithën për shkak të naftës. Ajo çka marrë si dëmshpërblim për këtë dëm janë vetëm 3 milionë lekë të vjetra, ndërkohë që ekspertiza private e ka vlerësuar dëmin në vlerën e 16 milionë lekëve.
I pyetur nga emisioni “Stop”, ambientalisti Sazan Guri tha se dëmi është i pariparueshëm, pasi në këtë tokë ka naftë me pak dhe dhe jo tokë me pak naftë. “Kjo naftë sjell vdekjen e menjëhershme të njerëzve që ka pranë”, theksoi ai.
Në përgjigjen zyrtare, Albpetrol e vlerëson ndotjen e tokës bujqësore të hershme, por ka nisur procesin e dëmshpërblimit të fermerëve sa herë ka patur ndotje nga çarjet ose dëmtimet e tubacionit.
Kjo kompani ka vlerësuar dëmtimin që i ka shkaktuar Vezir Nurës deri më sot me vlerën totale të 483,215 Lekëve. Gjithashtu në përgjigjen zyrtare thuhet se është marrë vendim që tubacioni magjistral do të zëvendësohet plotësisht me një tubacion të ri.
“Në këtë moment jemi në fazën e vlerësimit në terren për caktimin e gjurmës së këtij tubacioni magjistral dhe shumë shpejt do të të fillojmë nga puna për ndërtimin e tij dhe nxjrrjen nga skema të tubacionit magjistral ekzistues, i cili nga koha e gjatë e shfrytëzimit dhe nga prania e agjentëve kimik dge atmosferik ka pësuar amortizim të plotë”.
Tanimë fermerëve të zonës u ngelet të presin se kur do të zëvendësohet tubacioni i naftës, i cili po shkatërron prodhimin në tokat e tyre bujqësore.
Bashkia e Sarandës si cifligu i kryetares Koka.
Kryetarja e Bashkisë së Sarandës, Florjana Koka e ka kthyer institucionin që drejton në çifligun e saj. Karakteristika kryesore e këtij qyteti bregdetar janë shkallët e saj, të cilat janë ndërtuar kohë më parë me gurë shkëmborë.
Këto gurë kanë rëndësi historike dhe arkitektonike për Sarandën. Tanimë ato janë zëvendësuar me mermer të cilësisë së dobët dhe ky nuk është arbitrariteti i vetëm i kryetares së Bashkisë.
Një çift të moshuarish po rropatet prej 3 vitesh nëpër zyrat e Bashkisë së Sarandës, sepse një investim publik ka ndikuar në pronën e tyre.
Punonjësit e Bashkisë kanë hyrë dhe kanë dhunuar pronën private të familjes Xhaferri, kur i moshuari dhe bashkëshortja e tij nuk kanë qenë në shtëpi.
“Kam mëse 3 vjet gati që kërkoj zgjidhjen e këtij problemi të pronës sime, e cila ishte e hipotekuar me të gjitha dokumentet. Kjo shtëpi është bërë 8 a 9 vjet para se të bëheshin godina të tjera përreth. Kryetarja e Bashkisë, një adoleshente, është futur me të padrejtë në kundërshtim me ligjin e shpronësimit, natën, fshehurazi, në këtë shtëpi, kur nuk kishte njerëz fare. Ne natën e Vitit të Ri nuk ishim këtu, ishim duke festuar diku jashtë me njerëzit e mi. Nuk më ka lajmëruar dhe kjo bën të irritohem, sepse na ka krijuar dhunë psikologjike”, u shpreh i moshuari.
Ai tha se fare mirë mund t’i kishin lajmëruar dhe t’i shpronësonin, ashtu siç e kanë bërë me banorët e tjerë.
Hyrja e shtëpisë së të moshuarve është prishur dhe bllokuar me gurë, por ata nuk kanë mundësi ekonomike për ta rregulluar. Ndaj detyrohen të hyjnë me vështirësi në shtëpinë e tyre.
Sipas kryefamiljarit, juristi i Bashkisë i gënjeu duke u thënë se i kanë lajmëruar më parë për punimet, por nuk kanë pranuar.
“Unë i thashë me qetësi: ‘Nëse ti më jep dokumentin që më ke lajmëruar dhe vlerësimin, urdhëro merre të gjithën’”, u shpreh i moshuari.
Moderatorët e emisionit “Stop”, Saimir Kodra dhe Gentian Zenelaj i bënë apel Kryetares së Bashkisë Sarandë, Florjana Koka t’i rregullojë banesën të moshuarve, në mënyrë që edhe ata të jetojnë të qetë si gjithë të tjerët.