Të hënën, prindër e qytetarë të ndryshëm do të dalin sërish në protestë për jetën, sigurinë dhe arsimin e fëmijëve. Pas vrasjes me thikë të 14-vjeçarit nga një bashkëmoshatar i tij, në protestën e së enjtes prindërit kërkuan përgjigje nga institucionet përgjegjëse për disa kërkesa, të cilat i ripërsëritën edhe këtë të shtunë:
Migen Qiraxhi, përfaqësues, Komuniteti i Prindërve: Kërkesat tona janë, shtim i buxhetit për arsimin në nivelin 5% të GDP-së. Rritje dhe plotësim i 100% të shkollave me psikologë, në raportin 1 psikolog për çdo 200 nxënës. Qëndrim i nxënësve në hapësirat e shkollës deri në orën 16:00 duke ofruar ushqim dhe mundësi për të bërë detyrat. Zbatim emergjent të rregullit për heqjen e telefonave në orarin e mësimit. Çdo shkollë duhet të ketë oficer sigurie.
Në mungesë të një reagimi vjen protesta e radhës, ku sërish kërkohet edhe dorëheqja e Ministres së Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Migen Qiraxhi, përfaqësues, Komuniteti i Prindërve: Kjo dorëheqje, të paktën do të krijonte një precedent dhe një model të të mbajturit përgjegjësi. Gjë kjo që sigurisht nuk do të mjaftonte, ama do të hapte një shteg drejt zgjidhjes së kësaj drame të madhe. Kësaj ministreje, kësaj shkolle, ne i kishim besuar edukimin e më të shtrenjtëve tanë, kurse ata nuk arritën t’i mbronin as jetën.
Organizatorët i bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve, prindërve, gjyshërve, studentëve, edhe gjimnazistëve, t’i bashkohen protestës ditën e hënë në orën 17:00, përpara Ministrisë së Arsimit.
Tv Klan