Dorina Prethi, politikania e re nga “Shqipëria Bëhet” shprehet  në emisionin “Opinion” në Tv Klan se të  rinjtë, përtej qasjeve të ndryshme politike duhet të jenë bashkë. Sipas saj, alternimi i dy partive të mëdha nuk ka sjellë produktivitet për vendin.

Dorina Prethi: Modeli është ai që do të ndërtoj unë, ai është modeli im. Modeli është një ideal që kam në kokë dhe që  dua të  jetë modeli që dua ta zbatoj. Sa herë shkoj në diasporë, bashkë me ekipin, thërras shqiptarët që të kthehen, shqiptarë të mirë, të arsimuar, të aftë me dëshirën për të investuar në vend. Të njëjtën gjë dua edhe sot. Nuk do të doja kurrsesi që pavarësisht pikëpamjeve të  ndryshme politike me të rinjtë që janë sot në panel, ne të kishim këtë armiqësi me njëri-tjetrin. Të rinjtë duhet të jenë bashkë.

Blendi Fevziu: Bashkë do të jenë, por janë në parime ideologjike të ndryshme.

Dorina Prethi: Do të kisha preferuar që të gjithë prej tyre t’i  ishin bashkuar një force të re politike. Që nga vitit ’91-97, bëma të jashtëzakonshme i kanë ndodhur popullit shqiptar nga bashkëpunimi PS-PD. në 2008 u ndryshua kushtetua në dëm të qytetarëve shqiptarë nga  marrëveshjet PS-PD.

Prethi vijoi duke renditur raste të ndryshme dhe më pas theksoi edhe njëherë idenë kryesore  për bashkimin e të rinjve:

“Dy forcat e mëdha politike janë një peshë shumë e rëndë mbi shpatullat e këtyre të rinjve të cilët mund  të kenë vetëm arritje në jetën e tyre. Është shumë e rëndësishme sepse ne sot jemi në këtë panel, por nesër do të jemi në qeveri, në opozitë, do të jemi në parlament të gjithë bashkë, është e rëndësishme si të gjejmë mundësitë për të bashkuar aftësitë dhe për t’i riprodhuar për vendin tonë”, përfundoi ajo./tvklan.al