Pas përfundimit të punimeve të nëntokës, punimet në godinën e Teatrit të Ri Kombëtar po vijojnë me ritme të shpejta dhe pritet të përfundojnë brenda vitit. Kantierin e kësaj vepre të rëndësishme e vizitoi nga afër Kryeministri Edi Rama së bashku me ministrin Blendi Gonxhja dhe Kryetaren e deleguar të Bashkisë Tiranë. Kryeministri Rama theksoi se Teatri i Ri do të jetë teatri më i bukur kombëtar në të gjithë Rajonin.
“Do të jetë padiskutim Teatri Kombëtar më i bukur në të gjithë rajonin edhe do të jetë ndër teatrot më të bukur kombëtar të ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore se para Luftës së Dytë Botërore ka elementë që janë të pakonkurueshëm në formën e tyre në Europë”, tha Kryeministri Rama
Ndërsa ministri Gonxhja dhe kryetarja e deleguar e Bashkisë Ristani u ndalën tek detajet teknike të projektit.
“Folëm edhe me arkitektët për pjesën e hapësirës publike dhe marrëdhënien me Muzeun e ri të Arteve të Bukura, për atë që folëm herën e fundit në inspektim që ta integrojmë në të gjithën”, tha ministri Gonxhja.
“Pjesa e të gjitha mekanizmave që do të ndërtohen për skenografi dhe facilitete të tjera teknologjike të skenave do të vazhdojnë kongratën në pjesën tjetër”, tha Anuela Ristani.
Projekti i ri po zhvillohet në zonën ku ishte Teatri Kombëtar dhe në ndërthurje me akset e pedonaleve. Ndërtesa është ndarë në dy pjesë një për aktorët dhe administratën dhe një tjetër për publikun me funksionin kryesor Teatrin.
Gjithashtu Kryeministri Rama inspektoi edhe aksin rrugor në zonën e Lundrës i cili lidh këtë zonë me Autostradën Tiranë-Elbasan.
“Nëse nuk i kanë këto akse nuk janë ndihmëse ashtu siç duhet për ata që jetojnë afër tyre, por ndërkohë janë larg tyre sepse nuk kanë akses”, tha Rama.
Ndërtimi i kësaj rruge me të gjithë elementët e infrastrukturës rrugore krijon akses të lëvizjes me rrugët e tjera të qytetit, si dhe me një sërë kompleksesh banimi, shkolla dhe biznese.
/tvklan.al