Qeveria pranon pas një dekade e gjysëm se ndërtimi i Termocentralit të Vlorës është një vepër e dështuar, e cila jo vetëm që nuk ka arritur të marrë 110 milionë Eurot e investuara, por aktualisht buxheti i shtetit paguan 6 milionë Euro çdo vit për këtë vepër. 5 milionë për shlyerjen e kredisë dhe 1 milion për mirëmbajtjen.

Etleva Kondi, drejtore e Koncesioneve në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë thotë se në bazë të të gjitha analizave që janë bërë deri më sot, si nga ana specialistëve të Ministrisë, ashtu dhe nga konsulentët e huaj e vetmja zgjidhje që mund t’i bëhet kësaj vere që tashmë i ka mbetur Shqipërisë në dorë, është dhënia e tij për zhvillim nga një kompani private.

Fillimisht kompania që do të dalë fituese duhet që të investojë me paratë e saj 56 milionë Euro, rregullimin e turbinës së ftohjes dhe kthimin e saj nga prodhim energjie me naftë në gaz natyror dhe ndërtimin e tubacionit që do të lidhë TEC-in me degëzimin e gazsjellësit TAP në Fier.

Etleva Kondi thotë se në këmbim të marrjes së TEC-it kompania private që do të fitojë koncesionin duhet që minimalisht të japë 2% të prodhimit energjetik të saj për shtetin, ndërsa pas 20 vjetësh do të rikthejë sërish këtë vepër.

Që prej vitit 2011 e deri më sot TEC-i nuk ka punuar asnjë ditë, jo vetëm se kostot e prodhimit të energjisë me naftë janë tepër të larta, por edhe për shkak të një defekti që u shkaktua në turbinën e ftohjes, çështje për të cilën vendi ynë shkoi për vite me radhë në gjykatën e arbitrazhit. Së fundi, edhe Banka Botërore ka pranuar dështimin e kësaj vepre, se nuk do të arrijë të nxjerrë asnjëherë paratë e investuar.

Tv Klan