Në gjykatën e Krimeve të Rënda ka dëshmuar Aurel Lazaj, një nga trafikantët e një grupi i cili tentoi të trafikojë në Gjermani 2,5 ton kanabis, por që nuk përfundoi në destinacion, pasi u sekuestrua në Ankona të Italisë. Lazaj ka statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë në këtë proces dhe para togave të zeza tregoi të gjithë mënyrën e trafikut dhe personave të cilët ishin përfshirë.
Ai sqaroi se droga në Gjermani do të pritej nga Ermir Hoti. Gjithashtu tregoi se kalimi i drogës në Portin e Durrësit është bërë me ndihmën e policisë. Ai tregoi se u ndaluan në Ankona për shkak të mungesës së dokumetacionit dhe organizatori i grupi i kishte thënë se do ti sillte një kamion tjetër. Në dëshminë e tij Lazaj tha se pasi ishte kthyer në Shqipëri pas bllokimit të kamionit në Itali dhe sipas tij është mbajtur peng për tre ditë në zonën e Krujës.
Në këtë proces i pandehur është edhe ish-oficeri i policisë Festim Lelaj, i cili ka ndihmuar këtë grup. Dhimo Koraj ishte pjesë e grupit, i cili u arrestua në Itali, pasi kamioni me drogë doli nga porti i Ankonës. I pandehur është edhe Skënder Siceqa, i cili sëbashku me të penduarin e çështjes dhe Aurel Lazaj kanë trafikuar një tjetër ngarkesë me drogë nga porti i Vlorës në vitin 2014. Në këtë kohë punonjës policie në këtë pikë kufitare ka qenë nënkomisari Lelaj. Grupi sipas Lazaj ka qenë aktiv nga viti 2011 deri në 2017 ku edhe u arrestuan pjesëtarët.
Tv Klan