Kopshti Borizanë në Thumanë është një tjetër objekt arsimor që i shtohet Bashkisë Krujë me standardet më të larta pas ndërhyrjes së Programit “EU4Schools” / “BE për Shkollat”.
I rindërtuar nga e para për një kapacitet prej 120 fëmijësh, kopshti mirëpret javën e ardhshme fëmijët dhe stafin mësimor me ambiente më të sigurta dhe bashkëkohore për zhvillimin e procesit mësimor. Plot 9 objekte arsimore, të gjithë të përfunduara tashmë, janë pjesë e ndërhyrjeve Programit “EU4Schools” për Bashkinë Krujë.
Nëpërmjet publikimit në rrjete sociale, Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara – UNDP Shqipëri nënvizon se:
“Jemi krenarë që në kuadër të parimeve të “Rindërtojmë Më Mirë” dhe “Rindërtojmë Së Bashku”, të realizuar nëpërmjet partneritetit strategjik në arsim mes BE-së dhe UNDP-së janë hedhur hapa shumë të rëndësishëm për sigurimin e objekteve arsimore moderne për komunitetet e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit, 2019-të”.
Programi “EU4Schools” financohet nga Bashkimi Evropian (BE) me 75 milion Euro dhe zbatohet nga UNDP në Shqipëri. Projekti po rindërton ose riparon 63 objekte arsimore në 11 bashkitë më të prekura nga tërmeti shkatërrimtar, me përfitues të drejtpërdrejtë 25,000 nxënës, mësues dhe fëmijë. Deri tani në kontekstin e këtij programi, kanë përfunduar 59 objekte arsimore.