Në burg pa afat do të qëndrojnë 5 personat e arrestuar nga policia për trafik ndërkombëtar armësh, të cilët akuzohen si anëtarë të një rrjeti kriminal. Gjykata e Tiranës, la në masën e sigurisë Arrest në burg të pandehurit Kleos Muçalliu, Endri Papa, Tonin Shkami, Gersi Llozha dhe Aurel Manreka.

Në seancën gjyqësore që zgjati 1 orë e 30 minuta, ata ngritën pretendimet se nuk janë përfshirë në trafikun ndërkombëtar të armëve dhe nuk kanë patur dijeni për aktivitetin dhe lidhjet që kishte Valter Osmani. Ky i fundit, i cili u arrestua në Kosovë, konsiderohet nga policia si drejtues i grupit. Gjatë seancës gjyqësore avokatët pretenduan se ndaj klientëve të tyre mund të rëndojë vetëm akuza e prodhimit dhe shitjes së armëve, por jo ajo e trafikut ndërkombëtar.

Hetimet për anëtarët e këtij grupi grup kishin nisur që në muajin maj nga Sektori kundër Trafiqeve në Policinë e Tiranës. Në banesën e Valter Osmanit në zonën e Kombinatit blutë gjetën një pjesë të armëve të sekuestruara. Këto armë dyshohet se do të shkëmbeheshin me kokainë. Ka dyshime të forta se banesa e Osmanit përdorej si bazë për fshehjen e armëve dhe drogës.

Në këtë operacion i përfshirë është edhe Euxhenjo Manushi i arrestuar rreth 1 javë më parë me 1 kg kokainë së bashku me Klajdi Serjanin. Valter Osmani si dhe të arrestuarit e tjerë shkonin shpesh në Kosovë, udhëtime që përdoreshin për të transportuar armët dhe drogën. Sendet e jashtëligjshme mësohet se shpesh herë transportoheshin me makina private, por edhe me linja autobusi. Burime nga policia bëjnë me dije se shkëmbimi i një pistolete me kokainë bëhej kundrejt sasisë prej nga 25 deri në 30 gramë. Ndërsa për armët e tjera më të sofistikuara, sasia e kokainës që shkëmbehej ishte më e madhe, ose në rast të kundër kundrejt parave.

Armët sportive shkonin në Kosovë nga Turqia, dhe më pas modifikoheshin në një baze në zonën e Ferizajt. Më pas një pjesë e armëve të modifikuara dërgoheshin drejt BE-së dhe një pjese tjetër vinin në Shqipëri. Pasi mbërrinin në Tiranë, disa prej pistoletave mësohet se janë dërguar edhe në Greqi.

Klan News