Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Prej ditësh tregtarët e tregut elektrik të kryeqytetit kanë refuzuar të paguajnë pranë bashkisë, tarifën e zënies së vendit. Sipas tregtarëve, pagesa mujore e vendosur është rritur, ndërkohë që një vit më parë, paguanin vetëm 1/3 e shumës që i detyrohen tani bashkisë.
Duke kërcënuar me mos pagesë, tregtarët shprehen, se të gjitha detyrimet e tjera vendore i kanë derdhur sipas ligjeve, ndërkohë që e shohin si të paarsyeshme rritjen e kësaj tarife, e cila dëmton biznesin e tyre të vogël.
Tregtari 1:- “Këtu na i bënë nga 50 mijë në 150 mijë lekë. Pra për ne është absurde, se punë nuk ka, puna ka rënë në maksimum. Unë habitem se si e bëjnë llogarinë këta pushtetarët, se si i nxjerrin, hajt t’i marrim lekë tregtarëve, ne jemi tregtarë rrogtarë, nuk jemi tregtarë që bëhemi të pasur”.
Tregtari 2:- “Ne nuk jemi me atë që kundërshtojmë shtetin apo bashkinë, por nuk mund të përballojmë dot gjithë këto taksa që janë ngritur, 3 milion vetëm këtë vit. Nuk jemi dakord për 150 mijë lekëshin”.
Por vendimi kërcënues vjen nga Bashkia e Tiranës, e cila ka vendosur një afat të shkurtër, për pagesën mujore të tarifës, së zënies së vendit. Në rast se tregtarët refuzojnë pagesën, që është detyrim ligjor, atëherë tregu elektrik do të shkrihet për t’u kthyer në treg fruta-perimesh.
Tregu elektrik i kryeqytetit është krijuar në vitin 1998. Rreth 300 tregtarë nënshkruan një kontratë kolektive 5 vjeçare me bashkinë, pas blerjes së kontenierve për shitjen e mallrave. Kjo kontratë përfshinte dhe pagesën mujore për zënien e vendit prej 5 mijë lekësh./tvklan.al