Vendvotimet janë të hapura në të gjithë vendin tani teksa amerikanët po hedhin votat e tyre për Kamala Harris ose Donald Trump.
Më shumë se 80 milionë amerikanë kanë votuar në votimet e hershme dhe rreth 38 milionë votuan herët me postë. Amerikanët nuk po zgjedhin vetëm presidentin por gjithashtu anëtarë të Kongresit të SHBA-së dhe disa shtete po votojnë për të drejtat e abortit.
Kandidati republikan Donald Trump dhe ish-zonja e parë Melania votuan në një qendër votimi pranë rezidencës së tyre në Palm Beach të Floridas. Para mediave, ai shprehu bindjen në fitore, por premtoi se do e pranonte edhe humbjen.
“Ndihem shumë i sigurt. Duket se republikanët kanë paraqitur fuqinë e tyre, kështu që do të shohim se si do të dalë. Kam zhvilluar një fushatë të shkëlqyer. Mendoj se ishte ndoshta më e mira. Ne dolëm shkëlqyeshëm në të parën, ne bëmë shumë më mirë në të dytën. Sigurisht që nuk do të ketë dhunë. Mbështetësit e mi nuk janë njerëz të dhunshëm. Nëse humbas zgjedhjet, nëse janë zgjedhje të ndershme, do të jem i pari që do ta pranoj atë”.”
Zv.presidentja Kamala Harris, e cila votoi me postë përpara ditës së zgjedhjeve, tha se porosia e saj e parë e punës nëse zgjidhej në Shtëpinë e Bardhë do të ishte “ulja e kostos së jetesës për njerëzit”, si dhe u bëri thirrje amerikanëve që të dalin të votojnë.
“Trokisni në dyer. Thirrni votuesit. Kontaktoni miqtë dhe familjen. Së bashku, ne do të shkruajmë kapitullin tjetër të historisë më të madhe të treguar ndonjëherë”, u shpreh ajo.
Presidenti amerikan Xho Bajden nëpërmjet një postimi në platformën X u bëri thirrje amerikanëve të votojnë masivisht.
“Njerëz, është dita e zgjedhjeve. Bëje zërin tuaj të dëgjohet, Amerikë. Votoni!”, u shpreh Biden.Ndërsa ish-presidenti demokrat Barak Obama, përmes një videomesazhi u bëri thirrje votuesve të që dalin masivisht për të votuar për kandidaten demokrate dhe theksoi se vetëm disa vota mund të përcaktojnë rezultatin.
Klan News