Në mesin e tensioneve dhe të përshkallëzimit të luftës në Ukrainë, si dhe në atë në Lindjen e Mesme, shefi i ri i NATO-s, Mark Rutte ka zhvilluar një takim me presidentin e zgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump. Një zëdhënës i aleancës ushtarake transatlantike tha se Rutte dhe Trump u takuan në rezidencën e presidentit te zgjedhur në Palm Beach të Floridës të premten.
Në njoftimin zyrtar, bëhet e ditur se ata diskutuan mbi një sërë sfidash të sigurisë globale me të cilat përballet aleanca, pa dhënë ndonjë detaj konkret. Rutte kishte thënë më herët se donte të fliste me Trump për Korenë e Veriut, Iranin, Kinën dhe Rusinë “që punojnë së bashku kundër Ukrainës”.
Gjithashtu, Rutte takoi edhe anëtarin e Kongresit, Mike Waltz, i emëruar për detyrën e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare dhe se po ashtu ai pati takime me anëtarë të tjerë të ekipit të sigurisë kombëtare që ka përzgjedhur Trump për të drejtuar administratën e ardhshme republikane.
Gjatë mandatit të parë si President, Trump shprehu hapur skepticizëm për aleancën perëndimore për mospërmbushje të obligimeve financiare. Ndërsa parashikohet që Trump t’i kërkojë shteteve anëtare të NATO-s që të shpenzojnë për mbrojtjen 3% të prodhimit të brendshëm bruto të tyre.
Mark Rutte, i cili mori detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s muajin e kaluar, është cilësuar gjerësisht si një nga udhëheqësit më të mirë evropianë mbajtjen e marrëdhënieve të mira me Trump gjatë mandatit të tij të parë presidencial, duke shpresuar se kjo mund të vijnë edhe gjatë këtij mandati të dytë.
Tv Klan