Vdekja e Gene Hackman dhe gruas së tij, Betsy Arakawa po raportohet si “e dyshimtë” vetëm pak orë pasi policia tha të kundërtën.
Në një mandat kontrolli të marrë nga TMZ, thuhet:
“Vdekja e dy personave të vdekur është mjaft e dyshimtë për të kërkuar një hetim të hollësishëm sepse personi që e raportoi e gjeti derën kryesore të rezidencës të pakontrolluar dhe të hapur. Policët gjetën një qen duke vrapuar në pronë, një tjetër pranë gruas së vdekur, një qen të ngordhur rreth 3-4 metra larg saj, brenda një dollapi në tualet, ngrohësin e zhvendosur, shishkën e ilaçeve të hapur dhe pilulat të shpërndara pranë saj, burri i vdekur nënjë dhomë tjetër të rezidencës, pa shenja të dukshme të rrjedhjes së gazit”.
Hackman, Arakawa dhe një prej qenve të tyre u gjetën të mërkurën në shtëpinë e tyre në New Mexico. Ai ishte 95 vjeç dhe ajo 64.
Trupat u gjetën nga dy punonjës mirëmbajtjeje që s’e kishin parë çiftin prej dy javësh. Ata deklaruan para policisë se dera ishte e hapur. Autoritetet nuk kanë gjetur shenja të hyrjes me dhunë.




Arakawa u gjend e shtrirë në krahun e djathtë në dyshemenë e tualetit, pranë një rafti. Mendohet se ajo mund të jetë rrëzuar. Trupi i saj ishte i dekompozuar dhe shfaqte shenja mumifikimi. Sipas detektivit që inspektoi skenën, ajo kishte “fryrje në fytyrë dhe mumifikim të këmbëve e duarve”.
Hackman u gjend në një dhomë pranë kuzhinës. Ai ishte i veshur dhe dyshohet se edhe ai ka rënë pasi syzet ishin pranë trupit të tij.
Zyra e sherifit ka deklaruar për Page Six se “dhuna nuk dyshohet si faktor në këto vdekje. Shkaku i vdekjes do të përcaktohet nga Zyra e Mjekut Hetimor”./tvklan.al