Pasditen e kësaj të shtune në studion e “Rudina” në Tv Klan të ftuarit folën rreth prindërimit dhe sfidat që ata kanë hasur apo hasin me fëmijët e tyre. Duke na kthyer në një periudhë tjetër, në një prindërim tjetër pa teknologji, Rajna Kovaçi ndan me publikun momentet e saj si nënë.

Ajo tregon se zgjodhi që të rrinte 7 vite pa shkuar në punë për t’u kujdesur në mënyrën më të mirë të mundshme për vajzën, duke ndjekur çdo hap të saj teksa rritej.

Rajna Kovaçi: Rajmonda ka qenë fëmijë që është marrë shumë me muzikë dhe piano, ka luajtur, por e ke parasysh se si krijohet një muzikant, me shumë vështirësi. Dhe luante, por dhe mësonte njëkohësisht piano. Unë kam ndenjur 7 vjet në shtëpi, derisa e bëra vajzën 7 vjeçe dhe pastaj vendosa që të shkoja në punë, sepse kisha shumë merak. Doja të rrija me të, të merresha me të.

Rudina Magjistari: Sa mirë që ke ndenjur 7 vite për t’u marrë me të.

Rajna Kovaçi: Po ka qenë sakrificë e madhe, por në të njëjtën kohë unë u ndjeva shumë mirë sepse i përjetova të gjitha hapat e saj. Vetëm e vetëm që vajza të rritej ashtu siç duhet, të mos ta çoja nëpër kopshte e nëpër çerdhe. Dhe ishte një gjë shumë e bukur sepse si të thuash u rritëm të dyja, sepse unë isha shumë e re në atë kohë. Ajo merrej me muzikë, në të njëjtën kohë unë i mësova dy gjuhë të huaja. Ishte shumë e çuditshme që fëmijët sa më të vegjël të jenë mësojnë më shpejt, ajo mësoi dy gjuhë të huaja pastaj dhe gjuhën e tretë.

Duke ndarë pak nga momentet e atyre 7 viteve përkushtim dhe përkujdesje nuk kishin se si të mos mungonin sfidat e prindëritmit, kur vajza e saj, Rajmonda nisi Liceun Artistik.

Rudina Magjistari: Cili ka qenë momenti më i vështirë gjatë prindërimit tënd?

Rajna Kovaçi: Ajo filloi Liceun Artistik, shkonte atje përditë, por në atë kohë Liceu Artistik ishte duke u rikonstruktuar, ku dritaret ishin hapur si dyer. Unë kisha shumë merak se ngaqë ishin fëmijë akoma dhe mund të shtyheshin. Shkoja përditë atje, gjeja një moment të lirë dhe shkoja të shikoja vajzën sepse kisha shumë merak./tvklan.al