Krerët e partive në Francë u takuan me Presidentin Emmanuel Macron për të diskutuar një rrugëdalje nga kriza e fundit politike, në të cilën u rrezua Michel Barnier pasi u përball me një votë mosbesimi.

Presidenti francez Emmanuel Macron i vendosi vetes 48 orë për të emëruar një kryeministër të ri.

“Ishte një takim interesant, por jo përfundimtar. Topi është në kampin e presidentit tani,” tha kreu i Partisë Socialiste Olivier Faure pasi u largua nga Elysee.

Krerët e dy partive që paraqitën mocionin kundër Barnier, Tubimi Kombëtar i ekstremit të djathtë dhe e majta e fortë “Franca e Papërkulur”, nuk ishin të pranishëm. 

Shumica e udhëheqësve nuk janë të gatshëm të bëjnë kompromis për çështje të tilla si reforma e pensioneve të vitit të kaluar.

Të Gjelbërit e kanë përjashtuar mundësinë e bashkimit me një qeveri të “interesit kombëtar”, ndërsa socialistët thanë se do të shërbenin vetëm nën një kryeministër të krahut të majtë i cili është përjashtuar nga konservatorët.

Kreu i Elysee u tha shefave të partive se shpresonte të shmangte shpërndarjen e parlamentit përsëri përpara përfundimit të mandatit të tij në 2027.

Vendimi i Macron për të shpërndarë parlamentin në Qershor, dhe organizuar zgjedhje të parakohshme, solli krizë në vend.

Klan News