Një telefonuese nga Vlora, Marika mendon se përpara se fëmija duhet të zgjedhë njeriun e jetës, duhet të marrë edhe mendimin e prindërve. Nga përvoja e saj me të bijën, një rast që e ndan në “Aldo Morning Show” në Tv Klan, telefonuesja thotë se fillimisht dy persona duhet të kenë të njëjtin nivel arsimi.
Marika thotë se e bija ka kryer arsimin e lartë, por është dashuruar me një djalë që ka kryer vetëm shkollimin bazë.
Marika: Ia kam lënë lirinë, nuk i mungon asgjë, ia kam plotësuar të gjitha, ama unë një gjë dua: të zgjedhë atë që duhet jo atë që do.
Aldo: Po kush e di atë që duhet?
Marika: Të jetë me shkollë siç është ajo.
Aldo: Ah, të jetë me shkollë.
Marika: Patjetër.
Aldo: Pse ajo kë ka zgjedhur, ka zgjedhur ndonjë pa shkollë?
Marika: Me 8 klasë.
Aldo: Po mirë ç’hyn dashuria, me sa klasë duhet të jetë një dashuri e fortë?
Marika: Dashuria e fortë duhet të jetë në një nivel që është fëmija. Kur një vajzë është me shkollë të lartë, mbaron për arsimtare dhe dashuron një që punon në ndërtim, për çfarë do flasin bashkë? Ai të vërë tullën dhe goca ime të mësojë një fëmijë?
Aldo: Po flasin zemrat, nuk flasin këto.
Marika: Kur të kalojë koha, do i bjerë njëri derës e tjetri patkoi, nuk do kuptohen më.
Nëna e vajzës shprehet se djali që dashuron vajza është kthyer në mendimin kryesor të kësaj të fundit, e cila nuk mendon të martohet me askënd tjetër veç tij.
Marika: Ia kam merakun se goca qan për të, mendon vetëm për të, nuk mendon për gjë tjetër. Sot është me pushime në Shqipëri dhe thotë po nuk mora atë më mirë të bjerë aeroplani e të vritem.
Aldo: E ti çfarë i thua në këtë rast?
Marika: Çfarë i them, ndrysho mendje derisa rri këtu.
Aldo: Pra vajza ka rënë në dashuri me ç’po kuptoj.
Marika: Ka rënë në dashuri.
Aldo: Çfarë moshe ka goca?
Marika: 21 vjeçe./tvklan.al