Bashkia e Tiranës nderoi sot, në një ceremoni të posaçme, ish-ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu, me “Çelësin e Qytetit”, në shenjë mirënjohje për kontributin e tij gjatë shërbimit si diplomat në vendin tonë.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh i lumtur për rikthimin në kryeqytet të një miku të mirë për shqiptarët.
“Ka gjithmonë një arsye për t’u rikthyer në Shqipëri, e veçanërisht nga përtej Oqeanit. Akoma më veçanërisht në Shqipërinë dhe në Tiranën e sotme, e cila është shumë më ndryshe nga ajo që ishte. Kur ambasadori Arvizu u rikthye në Tiranë në vitin 2018, ne e shenjuam atë vizitë duke mbjellë një pemë, e cila sot është pema më e lartë midis Sahatit edhe Bibliotekës Kombëtare, si një simbol i lidhjes së përjetshme me Tiranën. Ajo pemë është rritur, sot bën hije, si për të na dëshmuar se rikthimet nuk bëhen kurrë një e shkuar sepse rikthime do të ketë gjithmonë”, tha ai.
Veliaj tha se ambasadorët janë misionarë dhe kanë një titull të përjetshëm në vendet ku shërbejnë.
“Kur je edhe avokat i përjetshëm i Shqipërisë dhe një kryepromotor i Tiranës, kur je dikush që na ka qëndruar pranë në ato ditët e errëta të 21 Janarit dhe ngjarjet që pasuan, nuk ka sesi ta mbyllësh misionin e ambasadorit vetëm me datën e pensionit. Ndaj, besoj që përgjigjja është: “Padyshim që po!” – më duket sikur është gati të përsërisë edhe z. Arvizu fjalët profetike të Faik Konicës. Rikthimi i tij këtu është dëshmi e pakundërshtueshme e kësaj fabule të përjetësisë. Nga ana jonë, dëshmohet e njëjta gjë sërish, përmes një simboli: Kësaj here të ‘Çelësit të Tiranës’, me të cilin duam të shënjojmë këtë rikthim, dëshmia jonë e derës së hapur dhe çdo rikthim është i mirëpritur nga ne, për sa kohë që rikthimin nënkupton dashuri, vlerësim dhe besim”, tha kreu i Bashkisë.
Ish-ambasadori Arvizu falenderoi kreun e Bashksië së Tiranës për vlerësimin dhe tha se pas 10 vitesh gjen një Tiranë totalisht të transformuar.
“E pranoj me shumë modesti ‘Çelësin e Tiranës’. Këto ditë pashë Tiranën që ka ndryshuar kaq shumë. Kur u largova 10 vite më parë, kam thënë se jam shumë optimist për të ardhmen e Shqipërisë dhe e kisha me të vërtetë këtë. Ishte një pjesë e imja e cila, kishte pak dyshime për mënyrën se sa kohë do të zgjaste ky ndryshim, ky transformim. Nuk po them që të gjitha janë fantastike, të shkëlqyera, por pas disa ditësh në Tiranë ndihem shumë, shumë më mirë. Ndihem me më shumë besim, kam më shumë besim se sa kisha 10 vite më parë kur u largova. Shqipëria do të jetë shumë mirë, në rrugë të mbarë, dhe ju do të gjeni rrugën tuaj me vendimet tuaja. Kam shpresë që miqtë e mi përtej oqeanit, jashtë Shqipërisë, të cilët duan më të mirën për ju, kanë besim tek ju për të marrë vendimet e duhura. Nuk duhet ta marrin ata vendimin, ata do iu mbështesin juve, kurse ju jeni vendimmarrësit dhe ju do merrni vendimin e duhur”, tha Arvizu.
Në fjalën e tij, Veliaj renditi edhe kontributet më të rëndësishme të ish-ambasadorit Arvizu për qytetin dhe Shqipërinë, gjatë mandatit si ambasador i SHBA.
Ai tha se Ambasadori Arvizu luajti një rol vendimtar në promovimin e reformave politike, duke inkurajuar bashkimin dhe transparencën politike, të cilat ishin thelbësore për përparimin e vendit drejt integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe kontribuoi në forcimin e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, përmes përpjekjeve në nxitjen e bashkëpunimit dhe partneritetit në të gjitha fushat.
/tvklan.al