Ish-kryebashkiakun e Bogotës së Kolumbisë, Enrique Penalosa, e solli në Tiranë promovimi i librit të tij më të ri të sjellë në shqip “Një qytet për të gjithë”, ku në eventin e promovimit nuk mungoi kryetari iI bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në këtë takim, kryebashkiaku ndau lajmin se e ekipi i Penalosës do të angazhohet në Tiranë për të sjellë eksperiencën e tyre mbi një sistem të ri transporti për Tiranën.
“Transmilenio [sistemi i transportit në Bogota] është një mënyrë shumë kreative për qytetet që nuk e përballojnë dot koston e një metroje. Ne kemi marrë grantin më të madh dhe kredinë më të madhe mes KFW dhe BE për të prodhuar versionin tonë të transmilenio-s. Duke qenë se nuk jemi ende në kushtet financiare që të përballojmë një metro, të cilën do ta përballojmë kur të jemi në BE dhe të kemi akses në financa më të mëdha, na duhet një zgjidhje e ndërmjetme. Frymëzimi se si transmilenio sot është kopjuar ose përshtatur nga 300 qytete, besoj se është një lajm i mirë për vendimmarrjen që kemi marrë, por edhe për faktin se një pjesë e ekipit të Penalosas do të na ndihmojnë në këtë drejtim në Tiranë”.
Në fjalën e tij, ish-kryebashkiaku i Bogotës, tha se libri i tij flet pikërisht për mënyrën se si mund të bëjmë qytete më të mira.
“Ky libër flet se si mund t’i bëjmë qytetet më mirë. Unë jap shumë shembuj nga përvoja ime, por sot do të theksoj çfarë mendoj dhe dëshiroj që të jetë thelbi i librit, që është çështja e barazisë. Asgjë nuk është më e rëndësishme. Qytetet që po ndërtojmë do të jenë aty për qindra dhe mijëra vjet.”
Gjatë pritjes në Bashkinë e Tiranës, ai u nderua me Çelësin e Qytetit.
Tv Klan