Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka shuar përfundimisht çdo shpresë të shqiptarëve dhe maqedonasve të veriut për hapje të negociatave në muajin Tetor. Tashmë që zgjedhjet europiane janë lënë pas dhe forcat ekstremiste nuk kanë si luajnë me tezën e zgjerimit, është lideri i rilindjes franceze që vë veton.

Presidenti i Francës tha: “Unë jam më shumë skeptik kur dëgjoj se e ardhmja e Europës qëndron në zgjerimin e mëtejshëm në një kohë kur ne nuk jemi në gjendje të pajtohemi aktualisht si një grup prej njëzet e tetë shtetesh. Unë do të refuzoj zgjerimin e BE-së pa u realizuar një reformë themelore për funksionimin tonë të brendshëm institucional”.

Macron foli sërish për reforma të thella në Bruksel pas tre ditësh të tensionuara, ku liderët europianë nuk po arrijnë të bien dakord për pasardhësin e Juncker në pesë vitet në vijim.  Shefja në largim e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, kishte paralajmëruar në muajin Maj se çdo dështim për të nisur negociatat në tetor me Shqipërine dhe Maqedoninë e Veriut se “mund të minojë stabilitetin dhe të shkurajojë seriozisht reformat e mëtejshme”, por siç duket francezët e hollandezët do të vënë sërish veton./klanplus