Humbja e djalit të tyre në një aksident më shumë se një vit më parë nxiti gjyshërit që të rrëmbejnë nga e ëma nipin e tyre 3 vjeç, me pretekstin se donin që ta rrisnin vetë. Kjo ngjarje ka qenë temë diskutimi pasditen e sotme në studion e “Rudina”. Në qendër të diskutimit ishte dhe fakti që nëna 23-vjeçare u tregua shumë e përmbajtur në deklaratat e saj për rrëmbimin e fëmijës së saj të mitur.
“Bravo i qoftë! Bravo i qoftë, që një 23-vjeçare po kërkon të drejtën e saj. Sepse një 23-vjeçare në këto vende të mbyllura nuk pritet të ketë një shkollim, janë të ndrydhura dhe nuk reagojnë”, thotë aktivistja Suela Koçibellinj.
“Në çdo deklaratë e reja nuk ka sharë dhe është për t’u vlerësuar. Ajo me të vërtet nuk i hodhi benzinë zjarrit. Ajo nuk e nxori veten viktimë. Pra me atë grua ata njerëz mund të diskutonin dhe të ndihmonin njëri-tjetrin. Po ta shohësh në aspektin që çuni im vdiq dhe kjo do të martohet prapë, kjo nuk është e drejtë dhe nuk ka pse të fantazojë njeriu gjëra të tilla. S’kanë pse të fantazojnë se çfarë ka për të bërë ajo sepse këto hyjnë në ato fantazitë perverse. Ndërsa mjafton që ata të ruajnë marrëdhëniet që djali, nipi të rritet me të dyja palët e gjyshërve”, shprehet pediatrja Lira Gjika.
“Pashë gjyshin dhe gjyshen, ishin të rinj, kurse stërgjyshja ishte më e vjetër dhe në fakt kishte një mentalitet akoma më shumë përparimtar sesa vajza e saj dhe se dhëndëri. Pra kjo ka të bëjë kam përshtypjen më shumë me ato ndjenja personale me ato si të thuash ‘smirët’ e shëmtuara që mund të ketë një personazh. Që më vdiq djali, pse kjo ka djalë e unë s’kam. Ndërsa stërgjyshja ishte krejt kundër këtyre mentaliteteve ishte shumë e qartë. Stërgjyshja që ishte e vjetër dhe që ishte fliste shumë mirë në krahasim me vajzën e vet. Ishte shumë e çuditshme”, shton analistja e çështjeve sociale Raina Kovaçi./tvklan.al