Nëse Shqipëria është vendi i çudirave, qyteti i Vlorës mban vendin e parë. Pushteti lokal nuk i mjaftuan 6 vjet për të vendosur një semafor. E ky po që është një rekord i denjë për librin e çudirave. Projekti për rrjetin e semaforëve është përfunduar që në vitin 2003, por deri më tani autoritet komunale kanë mundur të kryejnë vetëm azhurnimin e tij. Sa i përket situatës në rrugët e qytetit, pamjet nuk kanë nevojë për koment.
Qytetari 1: “Nuk mban radhën asnjëri, po të ishte semafori do futeshin të gjithë me radhë.”
Qytetari 2: “Kryesorja është bashkia.”
Qytetari 3: “Duhet të vihen se s’bën.”
Qytetari 4: “Kam dy vjet që jam kthyer nga Italia dhe e shikoj është një katastrofë e madhe.”
Semaforët e ekzistues janë instaluar që në vitin ‘96, por nuk e kanë kryer asnjëherë funksionin e tyre. Në vend të tyre policia rrugore ka gjetur si zgjidhje shtimin e patrullave, të pamjaftueshme për të rregulluar trafikun në rreth 40 kryqëzime dhe për të evituar aksidentet.
Gentian Metaj: “Pikërisht mungesa e sinjalistikës ka bërë që policia rrugore të ketë pasur një ngarkesë tepër të madhe dhe për pasojë të kësaj ne angazhojmë më shumë forca seç duhet. Kemi disa kryqëzime që janë të rrezikshme dhe për aksidente.”
Përgjigjen se kur do të marrë fund kaosi në rrugët e qytetit nuk e jep dot as bashkia. Projekti do të kalojë sërish në fazën e azhurnimit pa patur një afat konkret për fillimin e zbatimit të tij.
Arqile Mishtaku: “Problemi që qëndron është tek sinjalistika elektronike ose te semaforët në qytet, për të cilën kemi një projekt dhe projekti po azhurnohet me grupin e projektimit gjatë muajit shtator për të bërë rregullimet përkatëse në projektin e mëparshëm ekzistues sepse është i disa viteve të mëparshëm.”
Në Vlorë qarkullojnë çdo ditë rreth 25 mijë automjete, numër që dyfishohet në periudhën e sezonit turistik. Pavarësisht kësaj qyteti me rreth 250 mijë banorë mbetet nga të vetmit që nuk ka semaforë në rrugët dhe kryqëzimet e tij./tvklan.al
Gazetare: Ornela Hila