Fenomeni i mbushjes së bregdetit me inerte është rishfaqur prej disa ditësh në plazhin e Radhimës në Vlorë. Masive të mëdhenj dheu shkarkohen ditën dhe natën nga mjete të rënda të parkuara në afërsi të tyre. Siç duket edhe nga pamjet hedhja e dheut ka përparuar me disa metra në brendësi të detit.

Banorët kanë denoncuar prishjen e bregdetit të zonës, madje jashtë kameras ata thonë se personat që fshihen pas këtij veprimi synojnë krijimin e plazheve private.

Pamjet tregojnë se autorët nuk janë kujdesur vetëm për zgjerimin e bregdetit, por në disa vende kanë filluar me nivelimin e dheut.

Edhe pse ndodhet fare pranë rrugës kryesore autoritetet lokale të bashkisë së Orikumit janë mjaftuar vetëm me gjobitjen e subjekteve, duke mos arritur të parandalojnë fenomenin.

Edmond Muço: “Tre personat në fjalë janë ndëshkuar me gjobë në masën 100 mijë lek të reja. Ne si inspektorat ndërtimor gjobën së bashku me një kallëzim penal do ta nisim pranë prokurorisë saë rrethit gjyqësor Vlorë.”

Përveç se kanë ndotur në masë vijën bregdetare, transporti i dheut ka shkaktuar probleme edhe në rrugën Orikum-Vlorë, sipërfaqja e të cilës ka mbetje të shumta dheu dhe inertesh.

Një situatë e tillë në prag të sezonit turistik ka rritur shqetësimin për mbarëvajtjen e tij në një prej plazheve më të frekuentuara nga turistët./tvklan.al

Gazetare: Ornela Hila