Raportim Live
12:55, 21 Nëntor 2024

Mbyllet protesta

Pas gati dy orësh u mbyll protesta në formë marshimi e prindërve, nxënësve të shkollës “Fan Noli” dhe qytetarëve të Tiranës pas vrasjes së 14-vjeçarit. Ata paraqitën kërkesat e tyre dhe ngritën shqetësimet për sigurinë e fëmijëve në shkolla.

Një nga kërkesat e tyre ishte edhe dorëheqja e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu. Në rast se nuk plotësohen ato, qytetarët paralajmëruan një protestë tjetër të hënën.

Të gjitha zhvillimet nga protesta i gjeni më poshtë në këtë raportim të Tvklan.al

12:49, 21 Nëntor 2024

Tezja e 14-vjeçarit: Drejtësia të shkojë në vend

E pranishme në protestë është edhe tezja e 14-vjeçarit të vrarë nga dora e bashkëmoshatarit të tij. Siç mund të kuptohet gjendja e saj dhe të afërmve të tjerë të viktimës është e rënduar për shkak të kësaj humbje tragjike dhe të parakohshme.

“Drejtësia të shkojë në vend”, tha ajo.

Më pas, aty u desh ndërhyrja e ambulancës pasi njërës prej tyre i ra të fikët.

12:41, 21 Nëntor 2024

Protestuesit ‘ultimatum’ qeverisë: Plotësoni kërkesat, të dorëhiqet Manastirliu!

Qytetarët e mbledhur sot para Ministrisë së Arsimit kanë paralajmëruar se në rast se nuk plotësohen kërkesat e tyre, protestat do vijojnë. “Nuk mbyllet me kaq, do jemi prapë këtu të Hënën“, tha një prej tyre.

Kërkesat e tyre janë:

-Rritje me 5% e buxhetit për arsimin

-Dorëheqja e ministres Ogerta Manastirliu

-1 psikolog për 200 nxënës në shkolla

-Qëndrimi i nxënësve në shkolla deri në orën 16:00, duke i pajisur me programe ushqimi dhe mundësi aktiviteti.

-Zbatimi i rregullave për heqjen e telefonave në orarin e mësimit

-Monitorimi i rreptë i platformave digjitale nga autoritetet

-Një oficer sigurie në çdo shkollë

-AMA të bllokojë përmbajtjet jo etike e të dhunshme

-Sistem raportimi efektiv për rastet e dhunës

12:23, 21 Nëntor 2024

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e drejtoreshës së shkollës “Fan Noli” në Tiranë dhe të ministres së Arsimit Ogerta Manastirliu.

12:22, 21 Nëntor 2024

Prokuroria ashpërson akuzën ndaj autorit të dyshuar të vrasjes

Autori i dyshuar vrasjes së 14-vjecarit në shkollën “Fan Noli” pas ngjarjes

Teksa para Ministrisë së Arsimit zhvillohet një protestë për sigurinë në shkolla, gazetarja Glidona Daci ka mësuar se prokuroria ka ashpërsuar akuzën për autorin e dyshuar të vrasjes së 14-vjeçarit.

Policia e kishte referuar për akuzën e vrasjes me dashje, por prokuroria e akuzon për vrasje në rrethana cilësuese. Ndaj tij rëndon edhe akuza e mbajtjes pa leje të armëve të ftohta.

12:18, 21 Nëntor 2024

“Ai ishte plot ëndrra dhe jetë, ia morën të dyja”, mesazhi i nënës së 14 vjeçarit përlot protestuesit

Një mesazh nga nëna e 14 vjeçarit i cili u vra pak ditë më parë prej bashkëmoshatarit të tij te shkolla “Fan Noli” në kryeqytet. Fjalë tejet prekëse të përcjella nga një protestuese para Ministrisë së Arsimit, aty ku janë mbledhur një numër i madh njerëzish.

Nëna e të miturit falenderon personat që iu gjendën djalit të saj në momentet e tij të fundit, të gjithë shqiptarët për suportin moral dhe Federatën Shqiptare të Futbollit.

“Në pamundësi për t’iu bashkuar suportit tuaj të madh. Nuk mendoj që ka fjalë që e përshkruan këtë dhimbje që na ka lënë pas një boshllëk që nuk do mbushet kurrë. Falenderoj gjithë popullin shqiptar dhe FSHF-në për praninë dhe mbështetjen në këto momente të vështira, s’di sa mirënjohëse mund të jem për ata që ju gjendën Martinit në momentet e tij të fundit. Ju falenderoj nga zemra! Martini ishte i mbushur me ëndrra dhe jetë, ia morën të dyja. Si nënë që jam, uroj nga thellësia e shpirtit që askush të mos sprovohet me një dhimbje të tillë. Respekte, Florina dhe Angel Cani”, ishte mesazhi i saj që i përloti të gjithë.

12:16, 21 Nëntor 2024

“Fajin e ka MAS”

Fjalën në protestë e mori edhe motra e shokut të klasë së 14-vjeçarit të vrarë. Ajo tha se Ministria e Arsimit mban fajin kryesor për këtë çështje dhe duhet të mbajë përgjegjësi.

“Martini ishte shumë më tepër se një fëmijë me ëndrra dhe energji të pashtershme. Ishte shembull i pastërtisë, gëzimit dhe i shpresës që të rinjtë sjellin në botën tonë…

Duhet të kërkojmë drejtësi. Martini nuk është më me ne për shkak të neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë së tyre që kanë detyrë të kujdesen për fëmijët tanë, për vëllain tim. Ministria e Arsimit mban fajin kryesor për këtë çështje dhe duhet të mbajë përgjegjësi për çdo gabim, për çdo masë të munguar dhe për çdo rrezik që kërcënon mirëqenien e fëmijëve”, u shpreh ajo.

12:07, 21 Nëntor 2024

“Hapim burgje, por jo teatro e kinema”, protestuesja: Po na vdesin fëmijët…

Një nga protestueset bëri thirrje që qeveria të ngrejë struktura për mbrojtjen e të miturve, pasi sipas saj mbyllja e TikTok nuk është zgjidhja.

“Në fjalimin që mbajti ministrja në parlament më erdhi shumë çudi që tha ngjarja ndodhi jashtë shkollës, si kërkoi të heqë përgjegjësinë për ngjarjen?! Prindërit mbarojnë punën, 2 orë në trafik, në 8 të darkës merret me fëmijën. A e kuptoni se në çfarë gjendje ekonomike jemi ne?! Zonja ministre, të duhet të nxjerrësh moralin në këto momente dhe të kuptosh që shkolla e arsimi po vdes. Po vdes një komb, po na vdesin fëmijët në mes të rrugës dhe kjo është e tmerrshme!

Nuk arrijnë dot familjet shqiptare të sigurojnë muajin dhe janë të traumatizuar. Një ekonomi e dobët sjell vrasje. Ne hapim burgje, por jo teatro e kinema. Nuk hapim muzeume që fëmijët të edukohen. Mbyllja e TikTok nuk është zgjidhje, ka plot platforma. Nuk është kjo zgjidhje, sigurisht ka sjellë dëme të jashtëzakonshme, por duhet një zgjidhje më racionale”, tha ajo.

12:06, 21 Nëntor 2024

Protesta për sigurinë në shkolla pas vrasjes së 14-vjeçarit po vijon prej disa minutash para Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve. Prindër të ndryshëm, por edhe aktivistë janë duke folur ku kërkojnë mbajtjen përgjegjësi nga institucionet përkatëse për rastin në fjalë.

12:03, 21 Nëntor 2024

Në lidhje me propozimet e qeverisë, një qytetar u shpreh për mikrofonin e Klan News se duhet të ketë kontroll më të rreptë. Sipas tij, mosha është problemi kryesor në përdorimin e tyre.

“Duhet të jetë kontroll më i rreptë në këtë drejtim. Mosha e përdorimit është problemi kryesor”, tha një qytetar në lidhje me këtë çështje.

11:33, 21 Nëntor 2024

Vrasja e 14-vjeçarit, protestë për sigurinë në shkolla. Qytetarët: Manastirliu të japë dorëheqjen