Vetëm disa orë pas zbulimit të vrasjes së një vajze 24-vjeçare në një banesë në Tiranë, blutë e kryeqytetit kanë mundur të identifikojnë dhe shpallin në kërkim autorin e dyshuar të krimit.
Ai është një 49-vjeçar me iniciale F.A. nga Palestina, i cili mendohet se është larguar nga Shqipëria.
Kjo për shkak se krimi ka ndodhur disa ditë më parë, në një banesë në rrugën “Gjon Muzaka” që çifti kishte marrë me qira.
Viktima 24-vjeçare me iniciale R.A. është gjithashtu palestineze. Ajo ishte goditur disa herë me thikë në trup, plagë që i kanë shkaktuar vdekjen.
Njoftimi i Policisë Tiranë:
Falë veprimeve të shpejta hetimore, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i vrasjes së 24-vjeçares, të gjetur pa shenja jete në një apartament në rrugën “Gjon Muzaka”.
Sektori për Krimet e Rënda në DVP Tiranë, falë veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale, si dhe analizimit të provave, ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të vrasjes së 24-vjeçares, shtetasin F. A., 49 vjeç.
Rreth orës 12:55, shërbimet e Policisë u njoftuan për gjetjen e një shtetaseje pa shenja jete në një apartament me qira, në rrugën “Gjon Muzaka”. Gjatë fazës së parë të hetimeve, u konstatua se viktima kishte plagë të shumta të shkaktuara me mjet prerës, që dyshohet të kenë qenë shkak për humbjen e jetës.
Në vijim të veprimeve, Policia bëri të mundur edhe identifikimin e viktimës, shtetases R. A., 24 vjeçe, e cila, së bashku me bashkëshortin e saj, shtetasin F. A., 49 vjeç, rezultojnë të jenë shtetas palestinezë dhe kishin marrë me qira apartamentin ku ndodhi ngjarja.
Nga të dhënat e deritanishme hetimore, dyshohet se autori i ngjarjes është larguar menjëherë jashtë territorit të Shqipërisë, pas kryerjes së krimit, i cili dyshohet të ketë ndodhur disa ditë më parë.
Grupi hetimor po vijon punën për përcaktimin e saktë të kohës së ngjarjes, nëpërmjet ekspertizës mjekoligjore dhe analizimit të provave të sekuestruara.
Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.
Materialet do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
/tvklan.al