Një 20-vjeçar u gjet i vrarë me armë zjarri këtë të enjte në Shkodër. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se ngjarja u zbulua rreth orës 14:50, në fshatin “Guci e Re”. Gazetarja Emi Kalaja raporton paraprakisht se viktima është identifikuar si Paulin Preka.
Sa i takon rrethanave të kësaj ngjarje, gazetarja Kalaja raporton se ka qenë xhaxhai i tij që ka telefonuar nipin dhe kur nuk i ka hapur telefonin është drejtuar drejt banesës së tij, ku e ka gjetur në oborr të vrarë me armë zjarri, pa shenja jete. I riu ishte qëlluar disa herë, teksa edhe pse është telefonuar ambulanca nuk kanë mundur t’i vijnë në ndihmë të riut, pasi ai kishte ndërruar jetë.
Nuk flitet se ai ka konflikte. Ai jetonte i vetëm në banesë pasi babai dhe nëna e tij janë të divorcuar. Nui dihet nëse 20-vjeçar ka pasur konflikte me njerëz të tjerë, teksa ai nuk njihej si një person problematic në komunitet.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e saj.
“Rreth orës 14:50, në fshatin “Guci e Re”, është gjetur pa shenja jete shtetasi P. P., rreth 20 vjeç, dyshohet i vrarë me armë zjarri. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër. Ndërkohë është ngritur një Grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, thuhet në njoftimin e policisë.
/tvklan.al