Një 19-vjeçar i identifikuar si Pavlin Preka u gjet i vrarë me armë zjarri në Shkodër në ballkonin e kësaj banese që shihni në pamje.
Ngjarja e rëndë, rrethanat e të cilës janë ende të paqarta, ndodhi në fshatin Guci e Re, ku rreth orës 14:50 minuta të kësaj të enjte i riu u gjet pa shenja jete.
Në një komunikim për mediat, xhaxhai i të riut tha se nipi nuk ishte problematik dhe nuk dinte të kishte ndonjë problem as kohët e fundit.
“Djali nuk kishte probleme, as familja, jetonin me blegtori në Dukagjin. Kishin ndërtuar dhe një banesë në Guci. Djali shkonte dhe vinte mes Dukagjinit dhe Gucisë. Familja nuk kishte hasmëri”, tha xhaxhai.
Prindërit e të riut rezultojnë të divorcuar që kur ai ishte 3 vjeç dhe pranë banesës ku vinte më rrallë pasi jetonte në Dukagjin, kishte edhe të afërm të tjerë.
Policia për disa orë bëri kqyrjen e vendit të ngjarjes dhe fiksimin e çdo prove dhe materiali të mundshëm që do t’i ndihmojë në zbardhjen e vrasjes. Hetuesit gjithashtu kanë grumbulluar dëshmi nga të afërm dhe persona që jetonin pranë zonës.
Prej orëve të pasdites, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër në ndihmë të grupit hetimor.
Tv Klan