Partia Socialiste ka vendosur që të dalë me Vangjel Tavon si kandidat në zgjedhjet që do të zhvillohen për Bashkinë e Himarës. Vendimi u mor sot nga kryesia e Partisë Socialiste pasi KQZ-ja i hoqi mandatin Fredi Belerit.

“Në zbatim të statutit të PS dhe normave tona të brendshme, vendosëm në bazë të propozimeve që vijnë nga Bashkia e Himarës, për kandidaturën e Vangjel Tavos si kandidat i PS-së në garën për kryetar Bashkie në Bashkinë Himarë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi në një komunikim me gazetarët.

Ai sqaroi edhe pse u vendos për Tavon, i cili aktualisht është Prefekt i Qarkut të Vlorës.  

“Figura e Vangjel Tavos vjen si një figurë e cila është një figurë e njohur politike, njohës i asaj zone, i asaj krahine. Po ashtu vjen nga disa beteja elektorale që e kanë përgatitur atë për të qenë një kandidaturë shumë e përshtatshme dhe po ashtu edhe përfaqësuese e atij komuniteti. 4 Gushti është shumë afër. Ne shkojmë për të pasur një rezultat jashtëzakonisht pozitiv në Bashkinë e Himarës”, tha Klosi.  

Një tjetër diskutim në Kryesinë e PS ka qenë edhe Kongresi. Për këtë arsye është vendosur që të mbahet më 27 Korrik.

“Po ashtu diskutuam për mbarëvajtjen e kongresit i cili do zhvillohet më datë 27 Korrik, një kongres i cili është një kongres zgjedhor, ku do të zgjidhet asambleja e re kombëtare e PS, forumet e saj më të larta”, sqaroi Klosi.

Kujtojmë se zgjedhjet në Himarë do të zhvillohen më 4 Gusht. Dekretimi i kësaj date nga Presidenti Bajram Begaj u mor pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i hoqi mandatin Fredi Belerit.

Organi i zgjedhjeve në vendin tonë argumentoi se Beleri është dënuar me vendim të formës së prerë me 2 vite burgim për shit/blerje votash.

Në fakt Beleri, pavarësisht se fitoi zgjedhjet për kryetar në Bashkinë e Himarës vitin e kaluar nuk e mori asnjëherë detyrën, pasi u arrestua 3 ditë para zgjedhjeve. Që prej asaj kohe ka qenë në qeli, deri disa javë më parë Apeli i GJKKO e shpalli fajtor për blerje të votave./tvklan.al