Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Flakët kanë përfshirë në orët e para të ditës së sotme lokalin e Artur Shehut në Vlorë. Emri i tij është bërë i njohur nga një përplasje e përgjakshme e dy muajve më parë, në kompleksin turistik pronë e tij “Vlora City”. Në këtë përplasje mbetën të vrarë tre persona dhe u plagos siç deklaroi më pas policia edhe Myrteza Çaushi.
Ndër viktimat ishte edhe krahu i djathtë i Zanit, i liruar nga Gjykata e Faktit të Tiranës, nga akuza për pjesmarrjen në bandën e armatosur të Çoles, në rrëmujat e ’97 Luciano. Ndërsa nga Shehajt mbeti i vrarë vëllai i Arturit dhe daja i tij. Pas kësaj ndaj pjestarëve të bandës së Zanit u bënë të paktën tre atentate të përgjakshme, ku katër ish anëtarë të saj mbetën të vrarë.
Pas ngjarjes në lokalin e Shehajve policia e Vlorës shpalli përsëri në kërkim kapon e Çoles. Por ai u arrestua vetëm në mesjavën e kaluar në afërsi të urës së Mifolit pasi në bashkëpunim me disa të tjerë akuzohet së kishte marrë peng një person, plagosur një tjetër, vjedhur një furgon dhe për armëmbajtje pa leje. Megjithatë sipas burimit hetimor i ngjarjes ndaj lokalit të Artur Shehut nuk dihet ende nëse kjo gjë apo jo ka lidhje me përplasjen tragjike me bandën e Zani Çaushit.
Sipas burimeve nga policia e Vlorës flakët në lokalin në lagjen “Pavarësia” janë shkaktuar me anë të benzinës nga persona ende të pa identifikuar. Në orën 2 të natës së sotme menjëherë në vendngjarje kanë shkuar zjarrfikësit që kanë shuar flakët. Hetuesit po punojnë për zbardhjen e së vërtetës së ngjarjes dhe autorët e mundshëm dhe nëse kjo ngjarje ka apo jo lidhje me atë të ndodhur dy muaj më parë në kompleksin “Vlora City”./tvklan.al