Në një takim me drejtuesit politikë, koordinatorët dhe kryetarët e degëve të PD-së, Sali Berisha kërkoi mobilizim të të gjitha strukturave për protestën e 8 Shkurtit. Sipas kreut demokrat, ajo ka synim votën e lirë.

“Duhet që nesër të nisim punën, takime në të katër anët e Shqipërisë. Të merrni masa, të siguroni mundësi transporti, Tirana duhet të njohë protestën më të madhe në gjithë ekzistencën e saj. Fati i votës së lirë varet nga ne, jo nga Edi Rama. Ne duhet të përmbushim misionin tonë”, tha Berisha.

Ai kërkoi nga qytetarët të mos lejojnë asnjë zyrtar në fushatë.

“Ju lutem shumë, kudo që t’i shihni zyrtarët, të cilët ligji i ndalon të marrin pjesë në fushatë elektorale, i gjuani me domate dhe vezë dhe i regjistroni dhe i fotografoni. I garantoj se do të dënohen shumë rëndë dhe se krimi elektoral do të shpallet krim i rëndë. O do shpëtojë Shqipëria nga krimi elektoral dhe shqiptarët do votojnë, ose pastaj të ardhme vendi nuk ka. Ky vend nuk mund të ketë të ardhme në këtë mënyrë”, u shpreh kryedemokrati.

Berisha akuzoi Kryeministrin Rama për vjedhje dhe shpërdorim të miliarda Eurove të shqiptarëve.

Tv Klan