Kjo rubrikë ka për qëllim informimin e publikut për rregullat dhe procedurat që ndiqen nga Tv Klan si Ofrues i Shërbimit Mediatik Audioviziv (OSHMA) për trajtimin e ankesave dhe së drejtës për përgjigje nga publiku, sipas përcaktimeve të Ligjit 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”.
Anëtarët e Bordit të Shqyrtimit të Ankesave pranë Tv Klan janë: Z. Armand Shkullaku, Z. Albert Dumani dhe Zj. Danjela Çollaku. Çdo person që kërkon të ushtrojë të drejtat e mësipërme, para se t’i drejtohet Tv Klan, duhet të bëjë evidentimin e qartë nëse ka një ankesë për programet e transmetuara apo nëse kërkon të ushtrojë të drejtën për përgjigje.
A. ANKESAT PËR PROGRAMET E TRANSMETUARA
1. Tv Klan do të shqyrtojë çdo ankesë të arsyetuar, të paraqitur me shkrim nga çdo person, për programet e transmetuar prej tij. Ankesa duhet të përmbajë të dhëna të rëndësishme, për fakte dhe rrethana mbi cenimin nga OSHMA-të, të detyrimeve të parashikuara në nenin 33 të ligjit nr. 97/2013, dhe rregulloreve të transmetimit të përcaktuara sipas nenit 47 të tij.
2. Ankesa duhet të paraqitet në përputhje me formularin e ankesës i cili duhet të përmbajë minimalisht këto elemente:
a. Të dhëna mbi ankuesin, të identifikuar në mënyrë të qartë;
b. Përshkrimin e shkeljeve të supozuara apo rrethanave konkrete të pretenduara, datën dhe orën e transmetimit të programit;
Formulari i ankesës mund të shkarkohet këtu, dhe duhet të paraqitet me postë në adresën “Tv Klan, Rruga Aleksandër Moisiu, Nr. 97, Tiranë, Shqipëri” ose në adresën e postës elektronike: [email protected].
3. Në rast se ankesa nuk përmbush kriteret formale të përcaktuara në pikat 1 dhe 2 si më sipër, Bordi i Shqyrtimit të Ankesave, brenda 2 ditëve nga mbërritja e ankesës, kërkon plotësimin e të metave të ankesës. Në rast mosplotësimi të të metave brenda këtij afati kohor, Tv Klan do të refuzojë shqyrtimin e ankesës së depozituar.
4. Bordi i Shqyrtimit të Ankesave shqyrton ankesën e depozituar brenda 5 ditësh pune nga paraqitja e saj. Për çdo paqartësi, Bordi i Shqyrtimit të Ankesave mund t’i drejtohet Këshillit të Ankesave në Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA).
5. Tv Klan i kthen përgjigje ankuesit brenda 30 ditëve nga marrja e ankesës së paraqitur në përputhje me kriteret formale në pikat 1 dhe 2, për programet e transmetuara prej tij.
B. USHTRIMI I SË DREJTËS SË PËRGJIGJES
6. Çdo person fizik apo juridik, dinjiteti dhe reputacioni i të cilit janë prekur nga publikimi i fakteve dhe informacioneve jo të sakta në një transmetim të Tv Klan, ka të drejtën e përgjigjes (replikës).
7. Personi që kërkon të drejtën e përgjigjes, duhet të paraqesë një kërkesë me shkrim, drejtuar Tv Klan duke parashtruar arsyet dhe faktet me të cilat provon pretendimin e tij. Kërkesës duhet t’i bashkëngjitet çdo dokument që vërteton pretendimet e personit që kërkon të drejtën e përgjigjes. Dokumentet duhet të jenë origjinale ose fotokopje të noterizuara. Kërkesa duhet të paraqitet me postë në adresën “Tv Klan, Rruga Aleksandër Moisiu, Nr. 97, Tiranë, Shqipëri” ose në adresën e postës elektronike: [email protected].
8. Kërkesa për të drejtën e përgjigjes duhet të paraqitet tek Tv Klan, brenda 10 ditëve nga dita e transmetimit, të cilit i adresohet kjo kërkesë.
9. Tv Klan, brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës, vendos për ushtrimin ose refuzimin e së drejtës së përgjigjes, duke e njoftuar me shkrim kërkuesin lidhur me vendimin e marrë si më sipër.
10. Tv Klan mund të refuzojë të drejtën e përgjigjes kur:
a) vlerëson se ajo është abuzive dhe e pabazuar, apo e bërë në keqbesim;
b) e drejta e kërkuar për përgjigje është opinion personal i personit dhe s’ka të bëjë me rregullimin e ndonjë lajmi me karakter fakti apo informacioni;
c) e drejta e kërkuar për përgjigje përmban parashtrimin e fakteve dhe informacioneve të rreme;
d) e drejta e kërkuar për përgjigje është bërë për të kërkuar parandalimin e veprimeve të pritshme apo që s’kanë ndodhur ende;
e) përmbushja e së drejtës për përgjigje përfshin një ndëshkim, kapërcen rregullat e mirësjelljes, apo sjell dënimin e ofruesit të shërbimit mediatik në një proces gjyqësor civil;
f) përmbushja e së drejtës për përgjigje sjell shkeljen e kushteve të licencës së transmetimit së OSHMA-së;
g) personi i dëmtuar nga informacioni i kundërshtuar nuk ka interes të ligjshëm në momentin e kërkesës për ushtrimin e së drejtës së përgjigjes;
h) transmetimi i kundërshtuar përmban një thënie apo deklarim të personit të prekur, të tillë që konsiderohet i barasvlershëm me vetë përgjigjen e kërkuar ose kur personi ka dhënë pëlqimin paraprak në një mënyrë formale lidhur me përmbajtjen e transmetimit;
i) një korrigjim i barasvlershëm i të dhënave të informacionit të kundërshtuar është bërë paraprakisht dhe për këtë është njoftuar personi i prekur;
j) përmbajtja e përgjigjes së kërkuar dhunon të drejtat e një pale të tretë;
k) çështja objekt ankese lidhet me thëniet gjatë veprimtarive parlamentare, zhvillimit të seancave gjyqësore apo transmetimit të veprimtarive të subjekteve politike;
l) transmetimi i së drejtës për përgjigje nuk është në interes të publikut;
m) kërkesa është paraqitur në tejkalim të afatit;
n) kërkesa është paraqitur në mënyrë anonime.
11. Nëse brenda afatit 10 ditor të përcaktuar në pikën 9 të këtij neni, kërkuesi nuk merr një përgjigje, prezumohet se TvV Klan e ka refuzuar kërkesën.
12. Nëse Tv Klan vendos për ushtrimin e të drejtës së përgjigjes nga personi që e ka kërkuar, ai duhet të transmetojë përgjigjen brenda 30 ditëve nga paraqitja e kërkesës. E drejta e përgjigjes duhet të paraqesë se në çfarë mase informacioni i paraqitur gjatë transmetimit është jo korrekt dhe mashtrues dhe të kufizohet në pohimin e fakteve të nevojshme për korrigjimin e fakteve apo informacioneve të pavërteta.
13. Për realizimin e kërkesës së ushtrimit të së drejtës së përgjigjes, Tv Klan nuk do të aplikojë asnjë lloj tarife.
14. Në rastin e refuzimit të të drejtës së përgjigjes nga Tv Klan, personi, i cili pretendon se i është prekur dinjiteti dhe reputacioni, ka të drejtë t’i drejtohet me ankesë Këshillit të Ankesave në AMA.
Televizioni Klan 2019