Banka e Shqipërisë dhe Banka Evropiane e Investimeve kanë nënshkruar një marrëveshje historike bashkëpunimi për zhvillimin e financave të gjelbra dhe për të mbështetur rritjen ekonomike të qëndrueshme në Shqipëri. Kjo marrëveshje synon të forcojë qëndrueshmërinë e sistemit financiar shqiptar duke mbështetur bankat për të mobilizuar fonde drejt projekteve të gjelbra. Gjithashtu ky bashkëpunim strategjik përbën një hap të rëndësishëm drejt realizimit të tranzicionit të gjelbër dhe avancimit të agjendës së Shqipërisë për integrimin në BE.
Guvernatori Sejko e cilësoi thelbësor bashkëpunimi me Bankën Evropiane të Investimeve për të avancuar në tranzicionin tonë të gjelbër.
“Ajo reflekton përkushtimin tonë për të ndërtuar një sistem financiar në harmoni me praktikat më të mira evropiane dhe që ndihmon në arritjen e objektivave strategjikë të vendit. Taksonomia e gjelbër do të shërbejë si një udhërrëfyes për klasifikimin e aktiviteteve të qëndrueshme, duke ndihmuar në kanalizimin e fondeve drejt projekteve që kanë një ndikim pozitiv në mjedis dhe duke rritur transparencën për investitorët dhe institucionet financiare.”
Zv.presidenti i Bankës Evropiane të Investimeve, Robert de Grot tha se, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje shënon një gur themeli në bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë.
“Synojmë të krijojmë një mjedis financiar të favorshëm që do të kontribuojë dhe mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për kalimin në një ekonomi të gjelbër, do të ndihmojë në arritjen e objektivave të saj ambiciozë për reduktimin e emetimeve, do të mbështesë masat e përshtatjes dhe forcojë qëndrueshmërinë e vendit.”
Gjatë vizitës në Bankën e Shqipërisë, Zëvendës presidenti Robert de Groot zhvilloi dhe një takim zyrtar me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko. Gjatë këtij takimi u diskutua mbi prioritetet strategjike të financave të gjelbra në Shqipëri. Takimi u fokusua në rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për të përmirësuar qëndrueshmërinë e sistemit financiar shqiptar.
Klan News