Moti i keq ka shkaktuar problematika në Lezhë. Siç duket nga pamjet që ka siguruar gazetari Martin Marku, era e fortë ka sjellë shkuljen e shumë pemëve, diçka që ka krijuar edhe dëmtime.
Si pasojë janë thyer vetrata xhami, janë dëmtuar makina dhe janë bllokuar rrugë të ndryshme.
Ndërkohë mijëra familje janë pa energji elektrike, një situatë që me orë kaq të zgjatura kishte vite që nuk ndodhte sipas gazetarit Marku.
Në Lezhë vijon ende moti me reshje dhe erë të fortë dhe duket se kjo ka shkaktuar probleme në rrjetin elektrik.
Aktualisht situata e tillë vijon në disa lagje të qytetit të Lezhës dhe Shëngjinit. Ndërkohë në zonat rurale, sipas gazetarit Marku, situata është edhe më e vështirë.
“Nga strukturat e MC të bashkisë Kurbin raportohet se pothuajse gjithë qyteti është gdhirë pa drita që nga ora 20 e mbrëmjes së djeshme. Si pasojë e mungesës së energjisë, është ndalur dhe furnizimi me ujë i qytetit. Rreshjet për momentin kanë ndalur por era vijon me fuqi deri 65km/ore”, njoftuan nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.
Sipas të dhënave Stacioni Meteorologjik Ushtarak në Gjadës gjatë 24 orëve, kanë rënë 10 milimetra shi, por pa krijuar probleme.
Ndërkohë në Bashkinë Mirditë raportohet se trashësia e dëborës ka arritur në rreth 40 centimetra në Fan. Nga ana tjetër Policia Rrugore e Lezhës, njoftoi të gjithë drejtuesit e mjeteve të transportit të mallrave veçanërisht ata me tenda që do të kalojnë në urën e Matit, të tregojnë kujdes maksimal gjatë kalimit.
“Nëse mjetet janë pa ngarkesë, ju kërkohet të hapni tendat për të shmangur rrezikun e destabilizimit nga era ose lëvizjet e papritura. Të respektohet shpejtësia e lejuar dhe të ndiqen udhëzimet e sinjalistikës dhe të policisë rrugore”, njoftoi policia.
/tvklan.al