Aktiviteti më i madh sizmik është ndjerë në ishullin e famshëm të Santorinit dhe në atë të Amorgos.

Madje në këtë të fundit sipas Institutit Gjeodinamik grek pak pas mesditës u shënua një tërmet me forcë 4.8 të shkallës Rihter. Deri më tani nuk raportohen viktima, por vetëm dëme të vogla materiale.

Situata më problematike paraqitet në Santorini, aty ku si pasojë e aktivitetit të vazhdueshëm sizmik ka nisur rrëshqitja e tokës.

Kjo ka detyruar autoritetet shtetërore që të ndalojnë plotësisht aksesin në tre zona të njohura si Ammoudi, Armeni dhe Porti i Vjetër i Firës. Gjithashtu autoritetet vendosën të mbyllin shkollat.

Shumë qytetarë, nga frika e tërmeteve, zgjodhën të kalonin natën jashtë, ose në makinat e tyre, ndërsa me të zbardhur dita e sotme shumë prej tyre iu drejtuan porteve dhe aeropoerteve për tu larguar nga ishujt e rrezikuar.

Kompania ajrore Aegean Airlines me kërkesë të Ministrisë së Mbrojtjes Civile të Greqisë tha se do të shtojë fluturimet të hënën dhe të martën për të lehtësuar udhëtimin e banorëve dhe vizitorëve.

Sizmiologët thonë se aktiviteti sizmik vjen si pasojë e zhvillimeve tektonike, duke përjashtuar ndonjë aktivitet të mundshëm vullkanik.

Tv Klan