Protesta e kësaj të hëne e opozitës, e pesta në kuadër të mosbindjes civile shënoi rikthimin në terren në drejtimin e saj të kreut demokrat Sali Berisha pas arrestit shtëpiak prej gati 1 viti.
Pavarësisht kushteve jo të favorshme të motit me shi Berisha u pa të udhëheqë demokratët në të gjitha akset kryesore të kryeqytetit të bllokuara nga protestuesit duke nisur me rrugën e Elbasanit.
Ai theksoi se protestuesit do të tërhiqen vetëm kur të votohet qeveria kujdestare që duhet të vendoset në Kushtetutë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Të ndryshojmë bashkërisht Kushtetutën dhe të sanksionojmë që qeveri kujdestare për zgjedhjet, çdo 4 muaj para zgjedhjeve përndryshe Edi Rama do të jetë një kufomë politike e pakallur. Nuk e shpëton dot asgjë në botë nga verdikti i qytetarëve të revoltuar”, tha Sali Berisha.
Demokratët ndoqën të njëjtin skenar si protesta e mëparshme ku bllokuan rrugën pranë Bashkisë së Tiranë, rrethrrotullimin e “Zogut të Zi”, sheshin “Wilson”, zonën tek “Pallati me Shigjeta” si dhe tek kryqëzimi tek “Rruga e Elbasanit”, pranë Xhamisë së Namazgjasë.
“Tirana në duart e qytetarëve nuk ka qenë kurrë si sot. Këmbë kundërshtari nuk shikohet, veturat e tyre nuk qarkullojnë. Janë zhdukur si minjtë, kryeqyteti i tërë është në duart e qytetarëve. Besuan se shiu, moti do të na pengonte. Ja ku jemi më shumë se kurrë nga e gjithë Shqipëria, në këtë betejë e cila ndalet vetëm kur të krijojmë qeverinë teknike dhe qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë”, tha kreu i PD.
Në terren ishin angazhuar 1400 forca të policisë të shpërndarë në pesë pika ku u mblodhën protestuesit. Uniformat blu deklaruan se ata e garantojnë të drejtën për tubim, por bllokimi i akseve rrugore konsiderohet si vepër penale.
Efektivët e policisë u përpoqën që të devijojnë qarkullimin e mjeteve në rrugë alternative por kane hasur me rezistencën e protestuesve, të cilët janë përplasur edhe fizikisht me forcat blu.
Klan News