Rreth 24 mijë persona në javë kërkojnë ndihmën e mjekut për shkak të gripit dhe virozave stinore. Mjeku epidemiolog, në Institutin e të Shëndetit Publik, Artan Simaku, tha se jemi në pikën e infeksioneve respiratore dhe se ka bashkëqarkullim të gripit, sars cov 2 dhe virusit sinsicial.

“Ky intensitet është më i lartë në fund të muajit Janar dhe në fillim të muajit Shkurt që jemi aktualisht. Përveç qarkullimit të gripit i cili mbizotëron ka bashkëqarkullim edhe të Covidit edhe të virusit respirator sinsicial, por dhe të ashtuquajtura viroza të tjera respiratore. Por javën që vjen parashikohet fillimi i trendit në rënie të këtyre infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme për të vazhduar me rënien graduale deri në fund të muajit Mars”, tha Artan Simaku.

Sipas epidemiologut, infeksionet respiratore janë të përhapura në të gjitha moshat. Ndërsa shtrimet në spitale janë të stabilizuara pasi gjatë një jave në spitalin infektiv shtrohen rreth 50 persona, ndërsa në shërbimin pediatrik 20 fëmijë.

“Një kulm në moshën pediatrike 0-15 vjeç të cilët kanë një pozitivitet më të lartë për gripin. Mbi 50% e këtyre mostrave kanë rezultuar pozitive për grip dhe një kulm tjetër në grupmoshat e rritura, pra mbi 55 vjeç dhe kryesisht mbi 65 vjeç të cilat kanë dhe ata një pozitivitet të lartë të mostrave për grip që luhatet 38-40%. Fatmirësisht nuk ka patur raste të rënda dhe raste vdekjesh dhe nuk ka patur mbingarkesë spitalore”, tha Simaku.

Numër të lartë infeksionesh ka qyteti i Tiranës dhe Durrësit, por edhe qytetet e ku dendësia e popullsisë është më lartë.

“Duke filluar nga veriu, Shkodra, Dibra, Kukësi për të ardhur në Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë të cilët janë qytete me dendësinë më të madhe”, tha Simaku.

Intensiteti i lartë i qarkullimit të infeksioneve respiratore në popullatë ka sjell edhe rritje të numrit të mungesave në shkolla, pasi sipas të dhënave të ISHP-ës në javën e fundit të janarit kanë  munguar rreth 10% e nxënësve.

Klan News