Kryedemokrati Sali Berisha ju ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e sotme në orën 17:00 në Tiranë. Gjatë fjalës së tij në një konferencë për mediat, kreu i demokratëve thotë se kjo protestë do të zhvillohet në formë marshimi.
Ditën e sotme, Berisha e quan një ditë revolte, atë të mosbindjes civile të PD-së dhe opozitës për shkak të varfërimit dhe privimit të lirive të qytetarëve.
Sali Berisha: Sot është dita e një revolte, e mosbindjes civile, të PD-së dhe opozitës, në emër të mbi 1.1 milion shqiptarëve që u larguan nga Shqipëria nga ky regjim për shkak të varfërisë dhe privimit të lirive. Është revolta në emër të 800 mijë pensionistëve, që u trajtuan nga kjo qeveri në mënyrën më çnjerëzore. Pensionistët e Shqipërisë sot marrin një pension të barabartë me 1 qen shtëpie në Gjermani, që paguhet 130 euro. Është protesta në emër të qindra mijëra të rinjve, të cilët kanë si alternativë të vetme largimin nga Shqipëria.
Berisha shton se kjo revoltë zhvillohet edhe në shenjën e sakrificës që demokratët janë të vendosur të bëjnë në emër të shqiptarëve në këto prag festash teksa shton se sot në orën 17:00, Tirana do të jetë në duart e qytetarëve.
Sali Berisha: Është protesta në emër të qindra mijëra fermerëve, të cilët janë fermerët më të diskriminuar të Europës, më të pambështetur, për të cilët në buxhetin e shtetit, ndonëse japin 20 për qind të prodhimit të brendshëm, ndonëse përbëjnë rreth 40 përqind të popullatës, janë parashikuar gjithsej 44 milionë euro. Është revolta e mbarë shqiptarëve që duan të jetojnë në Shqipëri. Që duan të ndërtojnë jetën, mirëqenien dhe të ardhmen në këtë vend ku plaçkiten nga një grup hajdutësh që nuk i kanë pasur kurrë në historinë e vendit. Kjo protestë, kjo revoltë zhvillohet edhe në shenjën e sakrificës që demokratët janë të vendosur të bëjnë në emër të shqiptarëve në këto prag festash. Ndaj ftoj qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë sot në ora 5, marshim në Tiranë, Tirana në duart e qytetarëve.
/tvklan.al