Kryetari i Këshillit të Qarkut Tiranë, Aldrin Dalipi shprehet se arrestimi i Veliajt ishte një ngjarje e pazakontë për qytetarët e kryeqytetit.
Gjatë fjalës së tij në një intervistë për Klan News përballë gazetarit Drini Zeqo, Dalipi thotë se ditën e shoqërimit në polici, Veliaj u mor në mënyrë të papritur nga zyra e tij e punës pasi sapo kishte përfunduar disa mbledhje në Bashkinë e Tiranës.
Dalipi thekson se sipas tij, Veliaj është një zyrtar i shkëlqyer që respekton rregullat dhe ligjin dhe se arrestimi i tij është një situatë e paprecedentë.
Drini Zeqo: Si po ecën puna në Bashkinë e Tiranës?
Aldrin Dalipi: Kjo ishtë një ngjarje e pazakontë për qytetarët e Tiranës që kanë zgjedhur Veliajn. Ajo që sot ka shumë rëndësi, Erion Veliaj dhe skuadra e tij e nënkryetarëve, janë një skuadër që mund të veprojnë dhe në këto kushte. Nënkryetarët po vazhdojnë punën e tyre. Kryetari i bashkisë u mor atë ditë në mënyrë të papritur nga zyra e tij e punës. Sapo kishte mbaruar disa mbledhje me kolegët e tij. Në ato çaste ndodhi ajo që pamë të gjithë. Ajo që unë di është se Erion Veliaj, si një zyrtar i shkëlqyer dhe që respekton ligjin dhe rregullat ka zbatuar kërkesën që i është bërë nga personat që kanë ardhur.
Drini Zeqo: A keni shqetësim për mënyrën si është ndaluar kryetari i Bashkisë?
Aldrin Dalipi: Veliaj pas atyre orëve ka pasur një reagim publik që ka shpjeguar atë gjë, një reagim publik në të cilën ai shprehu keqardhjen për atë që ka ndodhur. Veliaj, merakun më të madh e kishte për shkak se ekipit të PS do i mungonte në vijim për zgjedhjet që do të zhvillohen në të gjithë Shqipërinë. Ai kishte një rol thelbësor. Kemi një situatë që është e paprecedentë.
Kujtojmë se kreu i Bashkisë së Tiranës u shoqërua nga agjentët e BKH-së më 10 Shkurt pasi Gjykata e Posaçme i caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”, i akuzuar për dy vepra penale, ajo e “korrupsionit pasiv” (në 9 raste) dhe “pastrim parash”./tvklan.al