Pak më shumë se një vit kanë zgjatur pushimet për Antonio Conte. Tekniku italian ka vendosur për tu rikthyer sërish në pankinë, duke zgjedhur të jetë në Serie A. Sipas asaj që raportohet në mediat italiane, 54-vjeçari do të ulet në stolin e Napolit. Ish-kampionët e Italisë i besojnë intuitës dhe cilësive të Contes, për të pasuar në këtë detyrë Françesko Kalzona.
Ish-trajneri i Juventusit dhe Inter ka rënë dakord për një kontratë 3-vjeçare me Napolin, e cila nuk përfshin një klauzolë lirimi. Nga kontrata në jug, Conte do të përfitojë rreth 7 milionë euro neto në sezon, plus 1 milionë të tjera bonuse në bazë të performancës në fushë të skuadrës. Zyrtarizimi pritet të bëhet këtë mesjavë, për t’i lënë më pas kohe Contes për të ndërtuar Napolin e së ardhmes.
Gjithçka do të jetë në bazë edhe të asaj që do vendoset për Victor Osimhen. Sulmuesi nigerian ka qënë shpesh në qendër të zërave të largimit, por ofertat nuk kanë bindur drejtuesit. Napoli synon të marrë rreth 130 milionë euro nga shitja e tij, shifër që ende nuk ka mbërritur.
Edhe Kvara është një profil që i pëlqen Contes për ta mbajtur ashtu siç edhe Di Lorenzo, lojtarë që do bëhet maksimumi për t’i bindur të qëndrojnë. Rreth 200 milionë euro do të jetë buxheti i Napolit të Contes, shifër që do të shfrytëzohet për tu blinduar në portë dhe mbrojtjes. Lobotka e Anguissa kanë sinjale largimi, prej të cilëve skuadra jugore mund të mbush arkat për t’i shtuar akoma dhe më shumë të ardhurat në dispozicion të klubit.
Klan News