I penduari i drejtësisë Nuredin Dumani ka treguar të tjera krime në seancën e kësaj të martë. Ai ka deklaruar në gjyq se ka takuar Erion Alibejn për të negociuar për të vrarë Talo Çelën dhe Altin Ndocin. Dumani i ka kërkuar Alibejt që t’i vriste ai objektivat.
“Shkova për të negociuar për të vrarë Talo Çelën dhe Altin Ndocin, nuk doja t’i vrisja këta me dorën time. Doja t’i vriste Erjoni me njerëzit e tij. Pas takimit ndryshoi gjithçka dhe vendosëm të dy që të eleminonim kundërshtarët”, tha Nuredin Dumani.
Dumani tregon se e hartuan listën për pak orë se cilët do ishin personat që duheshin vrarë. Për ekzekutimet nuk kishte plan, do të vritej kush të dilte në rrugë.
“Për më shumë se 2-3 orë hartuam një listë për personat. Kisha informacion që Dorian Shkoza më vëzhgonte për të më vrarë. Do fillonim ekzekutimet nga Durrësi pastaj në Elbasan. Pasi ikëm nga Durrësi kishim disa emra për të vrarë, në verën e vitit 2020. Nuk kishte radhë, kush të dilte në rrugë do vritej. Emiljano Ramazanin e kishim më të lehtë për ta vrarë dhe u vra ai“, tha Nuredin Dumani.
Dumani më pas ka treguar për vrasjen e vëllait të Talo Çelës, Bujar Çela, krim i ndodhur në Shtator të vitit 2020.
“E dija që dilte çdo mëngjes dhe shkonte të pinte kafe. Kemi marrë karburant për makinën, i hodha 50 mijë lekë. Sa shkova te lokali e pashë Bujarin. Vendosëm që ta vrisnim pasi u vra shoku im Klevis Kapllani”, tha Nuredin Dumani.
Në seancë i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani gjatë një diskutimi me të pandehurin Enver Diva, kanë folur edhe për një takim të realizuar në 2020. Ata kanë folur për 2 deputetë dhe 2 biznesmenë, të cilët i kanë kërkuar Dumanit që të vriste Talo Çelën.
I penduari e ka mohuar që të ketë marrë një çantë me para për të realizuar vrasjen. Pas diskutimit Enver Diva është shprehur se emrat do t’i tregonte në një moment të dytë. I penduari ka treguar se ka përdorur aplikacionet e enkriptuara Sky Ecc, Matrix dhe BQ. Kodet e Sky Ecc i ka ndryshuar pas çdo vrasje që kryente. Pseudonimet e tij kanë qenë Covid-19, Alcatraz dhe Toto Rina.
Klan News