Zgjedhjet në Gjermani i fitoi Friedrich Merz i unionit CDU/CSU. Gjasat janë që ai të krijojë një koalicion me Partinë Social Demokrate (SPD). Por teksa ende e ardhmja është në pikëpyetje, Agjencia Gjermane e Lajmeve ndalet tek një çështje interesante.

Si do të quhet koalicioni ri?

E sigurt është që nuk do të njihet më si në kohën e Angela Merkel, si “koalicioni i gjerë” ose shkurt “GroKo”. Realiteti është se të dyja partitë nuk janë më të mëdhatë e Bundestagut. E djathta ekstreme e Alternativës për Gjermaninë (AfD) ka hyrë mes pasi është tashmë e dyta, para SPD-së.

Për këtë arsye në Berlin po ndalen edhe te emri që do të ketë koalicioni i ri. E këtu përfshihet pak edhe Shqipëria.

Sugjerimet e para kanë qenë qe koalicioni të marrë emrin referuar ngjyrës së flamujve. Dy partitë formojnë ngjyrën e kuqe dhe të zezë (me disa elemente shtesë) e për këtë arsye kanë qenë të shumtë ata që kanë dhënë idenë që koalicioni të quhet “koalicioni shqiptar” ose “koalicioni angolan”. Një traditë e pazakontë për Gjermaninë që t’u referohet flamujve të vendeve të tjera, por ja që ka ndodhur.

Megjithatë ka ide të tjera edhe më të çuditshme. Disa sugjerojnë ta quajnë “koalicioni Coke Zero”. “Me shije të vërtetë dhe zero kalori”, ironizon The Guardian, e cila pyet ndjekësit e saj për ide të tjera.

Ajo që dihet mirë është që edhe pse duket argëtuese, emri informal që do të mbajë koalicioni i fundit do të jetë me shumë mundësi gjëja më pak e rëndësishme e problemeve të tyre. Së pari, duhet që Friedrich Merz të bjerë dakord me SPD-në dhe ka kohë deri për Pashkë.

Numërimi mbrapsht ka filluar./tvklan.al