Kryeministri Rama deklaroi se vendimet e masave për zyrtarët e Universitetit Bujqësor janë dhënë pa gjyq.
Kreu i qeverisë bëri të ditur me anë të një mesazhi në rrjetet sociale se rektori Fatbardh Sallaku, i ka kërkuar grupit parlamentar të Partisë Socialiste që të dëgjohet në lidhje me këtë hetim të SPAK, kërkesë kjo që është pranuar nga Kryeministri Rama. Dëgjesa do të ndodhë mëngjesin e së mërkurës.
“Grupi Parlamentar i shumicës qeverisëse do të dëgjojë me kërkesën e tij, Rektorin e Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku, lidhur me 24 masa sigurie pa gjyq për stafin dhe pedagogët e universitetit për disa procedura të disa viteve më parë në shumën totale më pak se 30 milionë Lekë”, tha Rama.
Kryeministri thekson në reagimin e tij se rektori Sallaku nuk rezulton i lidhur me këtë hetim.
Sipas tij, ai flet për një keqkuptim shumë të madh dhe kërkon të dëgjohet publikisht, në një moment historik kthese për Universitetin Bujqësor që ka hyrë në rrugën e transformimit me synim njehsimin e plotë të diplomave me Universitetin BOKU të Vienës në Shqipëri në 2030.
Klan News