Gjykata e Posaçme ka firmosur 24 masa sigurimi pas dyshimeve për abuzim me tenderat në Universitetin Bujqësor të Tiranës. 5 prej tyre janë zyrtarë në këtë institucion të lartë të arsimit, mes tyre administratori, Edmond Tërthorja.

Për ta gjykata ka dhënë masën e arrestit në burg, ndërsa do të hetohen në masën arrest në shtëpi, 10 persona, ndërsa 9 të tjerë me detyrim paraqitje.

Sipas njoftimit zyrtarë të Prokurorisë së Posaçme janë hetuar 9 procedura prokurorimi me vlerë 90 milionë Lekë, në të cilat dyshohet se ka pasur abuzime.

Gjatë hetimit janë evidentuar shkelje ligjore nga dy zëvendësrektorët: Romina Koto e Ilir Kapaj dhe Bejo Bizhga, me detyrë përgjegjës i Departamentit të Moduleve Paraklinike në UBT.  Në masën arrest në shtëpi po hetohet edhe pedagogu, Ilir Kusi.

SPAK thekson se shkeljet e ligjit janë konsatuar që në fazën e përgatitjes së të dhënave fiktive të projekteve, me specifikime të përgatitura nga vetë kompanitë konkuruese, të cilat më pas edhe janë shpallur fitues, në tenderat përkatës. Veprimet e kundraligjshme të dyshuarve fillonin pasi siguronin fondet nga AKSHI.

Sipas SPAK në të gjitha procedurat e prokurimit kompanitë fituese “Krijon sh.p.k”, “Zero Group sh.p.k”, dhe “Malvina Visoka PF” kanë siguruar oferta ekonomike të falsifikuara në emër të shoqërive tregtare të tjera, të cilat janë përdorur nga autoriteti kontraktor dhe kanë ndikuar në fryrjen e fondit limit, pa bërë asnjë studim tregu.

Organi i akuzës ka renditur edhe në sa raste dyshohet se janë konstatuar shkelje ligjore nga zyrtarët e Univeristetit Bujqësorë. Administratori i UBT-së Edmond Tërthorja në 6 raste, Amarildo Lleshi drejtor i prokurimeve publike në 5 raste, Mehmet Qoshja, specialist për fondet, në 3 raste, Altin Murto drejtor i fondeve publike në universitet dhe dy anëtaret e komisionit të vlerësimit të ofertave Enkeleida Sallaku dhe Klara Jahollari, kanë nga dy raste secili. 

Klan News