Demokrati Belind Këlliçi thotë se ish-deputeti Ervin Salianji e ndaj qelinë e burgut me persona që kanë futur duart në xhepat e qytetarëve.

I pyetur nga gazetari Besard Jacaj në një lidhje direkte për Klan News për emra konkretë, Këlliçi shprehet se Salianji e ndan repartin e burgut me drejtorët e 5D-së, me Olsi Bistrin dhe me persona që kanë pastruar Lekët e krimit.

Besard Jacaj: Ma thoni një rast të vetëm kur ju keni qenë dakord me hetimet apo me vendimet që ka dhënë drejtësia e re në raport me 1 element të opozitës?

Belind Këlliçi: Me kë element? Me rastin e Berishës që është mbajtur në arrest shtëpie? Opozita ka 12 vite që është në opozitë dhe vijojmë dhe dëgjojmë që “fajin e ka Saliu”, ndërkohë që Saliu ka 12 vite që është në opozitë. Kreu i PD-së është mbajtur në arrest shtëpie pa fakte dhe pa akuza. Këtë e di çdo shqiptar. Këtë e faktuan 3 rezoluta ndërkombëtare. Për kë të jem dakord unë, të jem dakord për Ervin Salianjin që është bashkëmoshatar i imi, është në burg për një kallëzim të rremë që në fakt ai nuk e ka kryer. Në fakt ai nuk ka bërë kallëzim. Ka bërë një denoncim publik dhe sot një deputet i Kuvendit, një djalë moshatar i imi është në burg, ndërkohë që e ndan qelinë e burgut me banditë, me njerëz që kanë futur duart në xhepat e qytetarëve, për këtë të jem dakord unë?

Besard Jacaj: Me kë e ndan qelinë Salianji?

Belind Këlliçi: Me drejtorët e 5D-së dhe me këta që kanë qenë Polici e Shtetit, Olti Bistrin e me radhë që pastronin Lekët e krimit, në të njëjtin repart, është qesharake. Me kë nga këto raste të jem dakord?

/tvklan.al